2009-08-15 12:55:02

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 20-të gjatë vitit kishtar “B”


(16.8.2009 RV)RealAudioMP3 Të nderuar dëgjues e lexues, ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Liturgjinë Hyjnore të Fjalës së Zotit të dielës së 20-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë. ( Fjalët e Urta 9,1-6; Ps 34(33); Ef 5,15-20; Gjn 6,51-58)
Çdo të diele e çdo Meshë, momenti i liturgjisë së Fjalës së Zotit është një tryezë në të cilën ushqehet feja jonë. Për jetën tonë është e domosdoshme të ushqyerit jo vetëm me bukë materiale por me bukë qiellore: ja ushqimi i Urtisë, që na ofron leximi i parë i Meshës së kësaj së diele, nga Libri i Fjalëve të Urta (Fu 9,1-6); ushqimi i një feje ngazëlluese e jo materialiste, siç sugjeron Shën Pali apostull në leximin e dytë të kësaj së diele marrë nga Letra e tij drejtuar Efezianëve; e sidomos buka e gjallë e zbritur nga qielli që është Jezu Krishti. Ungjilli i së dielës nga kreu i 6-të i Shën Gjonit (Gjn 6,51-58) na kujton se, nëse nuk ushqehemi më Të (Krishtin), Fjalë e Bukë, ne do të vdesim.
Një thirrje të veçantë nga Liturgjia e Fjalës Hyjnore na drejtohet për të formuar familjen e bijve të Zotit: “Ejani, hani bukën time, pini vërën që unë kam përgatitur!”. Janë fjalë që i dëgjojmë e të cilat na japin domethënien e kremtimit të Eukaristisë, Meshës së Shenjtë. Mos të harrojmë se nuk shkohet në Meshë për të marrë pjesë në ndonjë spektakël fetar, por për të marrë pjesë në banketin e jetës së vërtetë që na ofron Krishti Zot. Në Meshë nuk jemi spektatorë, por protagonist të një historie në të cilën Zoti na ofron shpëtimin e përjetshëm, të gjithëve e falas.
Për një besimtar izraelit të përshpirtshëm, urtia është dhuratë që Zoti i bënë njeriut në mënyrë që ky të mund t’i njeh misteret e jetës; për besimtarin e krishterë urtia është pjesëmarrje reale në vetë jetën e Zotit.
Të jesh i krishterë do të thotë të pranosh planin e jetës që Zoti ofron: një projekt që është shumë i ndryshëm prej atyre që na ofron bota me metoda e me kompromise të veta e të lehta. Të jesh i krishterë do të thotë të nënshkruash aktin e besëlidhjes me Zotin që liron nga çdo robëri duke na çuar në shpëtim të përjetshëm. Çdo Meshë që ne kremtojmë është një konfirmim e aktualizim i kësaj besëlidhjeje tone me Zotin. Nëse jemi të pranishëm në Meshë, para elterit, nuk është për të përmbushur në mënyrë pasive një detyrim, por për t’i thënë ‘po’ në e gëzueshme përgjigjes së dashurisë që Zoti ka për ne. Ta konfirmojmë, ta pohojmë këtë besëlidhje duke i kërkuar falje Zotit nëse ndonjëherë e kemi tradhtuar me mëkatet tona e përsëri ta ndjejmë përqafimin e përdëllimit të Tij të pakufishëm.
Pra, në Ungjillin e kësaj së diele vijojmë me leximin e kreut të 6-të të Ungjillit të Shën Gjonit, e vijon fjalimi eukaristik i Jezusit, si fill udhërrëfyes i teksteve liturgjike të kësaj së diele të XX gjatë vitit kishtar, ciklit B. Kësaj herët figura mbizotëruese është ajo e thirrjes për të marrë pjesë në banketin e përgatitur e të stolisur nga Urtia, personifikim i Dashurisë e i Inteligjencës së Zotit në Besëlidhjen e Vjetër; në Besëlidhjen e Re, është realitet subjektiv, historik, në personin e Fjalës së mishëruar, Jezu Krishtin, i cili na thërret të ngrënim trupin e tij, ushqim i vërtetë, e të pimë gjakun e tij, pije e vërtetë, për të pasur e fituar jetën e përjetshme. Fryt i këtij banketi është urtia e jetës, sipas ligjit të Zotit, sipas shembullit të Krishtit, Udha, e Vërteta e Jeta. E tani t’i dëgjojmë leximet biblike e homelinë.........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.