2009-08-14 15:48:05

Nata e solemnitetit të të ngjiturit të Zojës në Qiell. Papa: Maria na tregon të vetmen gjë, për të cilën kemi nevojë.


(14.08.2009 RV)Nesër paradite, në orën 8.00, në solemnitetin e të ngjiturit të së Lumes Mari në Qiell, Papa do të kryesojë Meshën Shenjte në famullinë e Shën Tomës së Vilanovës, në Kastel Gandolfo. Në mesditë, takimi tradicional i Engjëllit të Tënzot, në Oborrin e Pallatit Apostolik të qytezës laciale. Është hera e pestë që Benedikti XVI kryeson ritet e solemnitetit të të Ngjituri të Zojës në Qiell, festa më e lashtë mariane.

Papa na fton të kundrojmë të vërtetën ngushëlluese të fesë, të ngjiturit e Marisë në Qiell me korp e me shpirt. Pas vuajtjes, vjen lavdia: shndërrim drejt të cilit shkon çdo njeri e mbarë gjithësia:
“Ajo, nga e cila Zoti u mishërua, me shpirtin e shporuar nga shpata mbi Kalvar, qe e para që provoi misterin e këtij shndërrimi, drejt të cilit shkojmë të gjithë, edhe ne shpesh herë të shporuar nga shpatat e vuajtjeve të kësaj bote. Eva e re ndoqi pas Adamin e ri në vuajtje, në mundime e edhe në gëzimin përfundimtar. Krishti është fryti i parë, por korpi i tij i ngjallur nuk mund të ndahet nga ai i Nënës së Tij tokësore, Marisë, e në Të, gjithë njerëzimi përfshihet në ngjitjen drejt Hyjit"(Homelia e Meshës së 15 gushtit 2008).
Nuk është përrallë, por realitet, mister që i zbulohet të vegjëlve, sepse Zoti i bën krenarët ta ulin kokën, ndërsa i ngre lart të përvujturit:
“Sigurisht nuk janë arsyetimet që na bëjnë t’i kuptojmë këto realitete kaq të larta, por feja e thjeshtë, e çiltër, e heshtja e uratës, që na na ndihmon të flasim me Zotin e të ndjejmë sesi vetë Zoti i flet zemrës sonë”(Homelia e Meshës së 15 gushtit 2008).
Një gjë e vetme është e nevojshme. E kjo festë – shpjegon Papa – na fton të kërkojmë gjërat kryesore, pa e humbur kurrë shpresën përballë vështirësive të jetës:
“Të zënë me punët e përditshme, rrezikohemi të mendojmë se është këtu, në këtë botë, në të cilën jemi thjesht kalimtarë, qëllimi i fundmë i jetës njerëzore. Ndërsa është Parajsa caku i vërtetë i shtegtimit tonë tokësor. Sa të ndryshme do të ishin ditët tona, në se do të jetoheshin në këtë perspektivë” (Engjëlli i Tënzot i 15 gushtit 2006).
Dëshmia e krishterë lind pikërisht nga të jetuarit e fesë në mënyrë të thjeshtë, si Maria:
“Përballë shfaqjes së trishtuar të gjithë këtij gëzimi të rremë e njëkohësisht të gjithë kësaj dhimbjeje plot ankth, që vërshon mbi botën, duhet të mësojmë nga Virgjëra Mari për t’u bërë shenja shprese e ngushëllimi e për ta kumtuar, me jetën tonë, ngjalljen e Krishtit!” (Homelia e Meshës së 15 gushtit 2008).
Në Zulesën e Shën Gjonit Apostull Kisha personifikohet me Marinë, që sulmohet nga një dragua i madh i kuq, simbol i pushtetit të perandorëve romakë antikristianë, që nga Neroni te Domiciani: pushtet që dukej i pakufizuar, pushtet ushtarak, ekonomik, politik, propagandistik:
“Përballë këtij pushteti feja, Kisha, dukej si një grua e pambrojtur, pa kurrfarë mundësie për të shpëtuar e aq më pak, për të fituar: e kush mund t’i kundërvihej një pushteti të tillë të gjithpranishëm, që dukej se mund të bënte gjithçka? E megjithatë e dimë se fitoi gruaja e pambrojtur, nuk fitoi egoizmi, as urrejtja; fitoi dashuria e Hyjit e Perandoria romake ia hapi dyert fesë së krishterë”. (Homelia e Meshës 15 gusht 2007).
Duke u ngjitur në Qiell, Maria nuk u largua nga ne, e kemi edhe më pranë e drita e saj ndriçon jetën tonë e historinë e mbarë njerëzimit:
Të gjithë kemi nevojë për ndihmën e saj e për ngushëllimin e saj, për të përballuar provat e sfidat e përditshme: kemi nevojë ta ndjejmë pranë si nënë e si motër në çdo çast të jetës sonë. E që të mund të kemi një ditë edhe ne përgjithmonë të njëjtin fat, t’i ngjasim tani, duke ecur në rrugën e Krishtit e të shërbimit bujar ndaj vëllezërve. Kjo është e vetmja mënyrë për ta parashijuar, në sa jemi akoma në shtegtimin tonë tokësor, gëzimin e paqen që e jeton plotësisht kush arrin në cakun e pamort të Parajsës”.
Prej këndej, Papa kërkon ndërmjetësimin e Virgjërës për paqe në mbarë botën”.
“Mbretëreshës së paqes, që e kundrojmë në lumninë qiellore, dëshiroj t’ia besoj përsëri ankthet e njerëzimit në çdo vend të botës së tronditur rëndë nga dhuna”.








All the contents on this site are copyrighted ©.