Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës të “Të ngjiturit të Zojës në Qiell”.
(14.8.2009 RV)Ja përsëri në takimin
tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së shtunës, kësaj here do të dëgjojmë
e meditojmë së bashku leximet biblike të solemnitetit të sotëm të të Ngjiturit të
Zojës së Bekuar në Qiell me trup e me shpirt. Të nderuar dëgjues e vëllezër e
motra në Krishtin, çdo vit në zemër të verës kthehet solemniteti i Të Ngjiturit të
së Lumes Mari Virgjër në Qiell, festa më e lashtë mariane. E për ne besimtarët është
një rast i volitshëm për t’u lartuar me Marinë Virgjër në lartësitë e shpirtit, ku
thithet ajri i pastër i jetës së mbinatyrshme e kundrohet bukuria më e vërtetë dhe
e plotë, që është shenjtërimi. Atmosfera e kremtimit të kësaj feste është e mbushur
me gëzimin e Pashkëve. “ Sot Maria është ngjitur në qiell: galdoni e gëzohuni,
me Krishtin mbretëron përgjithmonë. Haleluja”. Ky kumtim na flet për një ngjarje
tejet të jashtëzakonshme dhe unike, por që e mbush zemrën e njeriut me shpresë e lumturi.
Vërtetë, Mari është krijesa e parë e njerëzimit të ri, krijesa në të cilën misteri
i Krishtit - Mishërimi, Vdekja, Ngjallja, të Ngjiturit të Krishtit në qiell kanë pasur
efektin apo rezultatin e plotë, duke shpëtuar nga vdekja e duke e transferuar (bartur)
me shpirti e me trup në mbretërinë e jetës së pavdekshme. Për këtë Virgjëra Mari,
sikur na kujton Koncili II i Vatikanit, për ne është shenjë e shpresës së sigurt dhe
ngushëllim. Pra, festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ pohon se dashuria,
në dukje ligështi e Hyjit, fiton mbi pushtetin e egoizmit e të dhunës. “E gjithë
historia është luftë ndërmjet dy dashurive: dashurisë së Zotit deri në dhurimin e
plotë të vetvetes e dashurisë për vetveten, deri në përbuzjen e Zotit, deri në urrejtjen
për të tjerët”, thotë Shën Agostini. Festa e sotme na fton të kemi besim, sepse
dashuria, që duket si ligështi e Zotit, në fund të fundit ngadhënjen mbi atë që duket
si pushtet absolut i urrejtjes e i dhunës. Në leximin e sotëm nga Zbulesa, spikasin
dy figura: ajo e gruas së veshur me diell, simbol i dashurisë së Hyjit dhe ajo e dragoit
të kuq vigan, simbol i dashurisë për vetveten. Me figurën e dragoit Shën Gjoni simbolizoi
pushtetin e perandorëve romakë antikristianë, që nga Neroni te Domiciani: pushtet
që dukej i pakufizuar, pushtet ushtarak, ekonomik, politik, propagandistik: ”Përballë
këtij pushteti feja, Kisha, dukej si një grua e pambrojtur, pa kurrfarë mundësie për
të shpëtuar e aq më pak, për të fituar: e kush mund t’i kundërvihej një pushteti të
tillë të gjithpranishëm, që dukej se mund të bënte gjithçka? E megjithatë e dimë se
fitoi gruaja e pambrojtur, nuk fitoi egoizmi, as urrejtja; fitoi dashuria e Hyjit
e Perandoria romake ia hapi dyert fesë së krishterë”. Dragoi pra simbolizon pushtetin
e egoizmit absolut, të terrorit, të dhunës. Përfaqëson diktaturat antikristiane të
të gjitha kohërave, si nazizmi e komunizmi, në shekullin e kaluar. Dukej e pamundur
që feja të mbijetonte: por edhe këtu, në fund të fundit, dashuria ngadhënjeu mbi urrejtjen.
Por dragoi nuk është mposhtur ende plotësisht: vijon të ekzistojë në forma të reja: “Ekziston
në format e ideologjive materialiste, që na thonë se është absurde të mendosh për
Hyjin, është absurditet t’u bindesh dhjetë urdhërimeve të Tënzot; na thonë se është
diçka e vjetruar, që i përket një kohe të shkuar e se ajo që vlen, është ta jetosh
jetën për vete, se vlen vetëm konsumi, egoizmi, dëfrimi… E përsëri të duket absurde,
e pamundur t’i kundërvihesh një mendësie të tillë, që sundon me gjithë forcën e saj
mediatike, propagandistike. Duket e pamundur sot të mendosh për një Hyj që krijoi
njeriun e që u bë fëmijë e se ky fëmijë do të ishte sundimtari i vërtetë. Edhe sot
dragoi duket e pathyeshme, por edhe sot Hyji është më i fortë se dragoi e dashuria
është ajo që fiton, jo egoizmi”. Më pas kemi figurën e gruas: është e veshur me
diell, sepse jeton në dritën e Hyjit, e ka hënën nën këmbë, sepse e ka lënë pas vetes
vdekjen. E na thotë “Guxim! Në fund fiton dashuria! Guxoni të jetoni kështu, pa u
frikësuar nga kërcënimet e dragoit”. Gruaja nxjerr në dritë foshnjën me dhimbje:
simbol i Kishës shtegtare në të gjitha kohërat: në të gjitha breznitë duhet ta lindë
përsëri Krishtin, ta sjellë në botë Krishtin me dhimbje të madhe në gjirin e këtij
njerëzimi që vuan. Është Kishë e përndjekur nga dragoi në të gjitha kohërat, por në
të gjitha kohërat jeton në dritën e Hyjit. E kështu në të gjitha mundimet Kisha, duke
vuajtur, fiton e është garanci e pranisë së dashurisë së Hyjit kundër të gjitha ideologjive
të urrejtjes e të egoizmit. E dragoi edhe sot dëshiron ta përpijë Hyjin e bërë foshnje:
‘mos mendoni për këtë Hyj, i ka kaluar koha!’ – na thonë – por edhe sot ky Hyj i ligsht,
është i fortë, është forca e vërtetë. E kështu festa e ‘Të ngjiturit të Zojës së Bekuar
në Qiell’ na fton të kemi besim e shpresë: Është ftesë për të pasur besim në Hyjin,
ftesë për t’i përngjarë Marisë, ashtu siç ka thënë Ajo vetë: jam shërbëtorja e TënZot,
jam në dorë të Zotit. Të ecim në rrugën e saj. Të japim jetë e jo të marrim jetë.
E pikërisht kështu jemi në rrugën e dashurisë, që do të thotë ta humbasësh vetveten
e që, megjithatë, është e vetmja rrugë në të cilën duhet të ecim, për ta gjetur vërtetë
vetveten, për të gjetur jetën e vërtetë. Atëherë mund të themi me plot gojën se
festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ është festa e gëzimit. Hyji fiton! Feja,
në dukje e ligsht, është forca e vërtetë e botës. Dashuria është më e fortë se urrejtja
– tha në përfundim Papa. Po kështu duhet kujtojmë se festa e ‘Të ngjiturit të Zojës
në Qiell’ bazohet në Shkrimin Shenjt, Bibël, që na e paraqet Virgjërën të bashkuar
fort me Jezusin në luftën kundër armikut djallëzor, deri në fitoren e plotë mbi të.
Është fitore që gjen shprehjen e vet kryesisht në kapërcimin e mëkatit e të vdekjes.
E prandaj Maria, solidare me Jezusin edhe në ngjallje, u ruajt nga kalbja në varr,
për t’u ngjitur me shpirt e korp në lumturinë e Qiellit - siç pohoi Piu XII, duke
shpallur, më 1 nëntor 1950, Dogmën e të ngjiturit të Zojës në Qiell, në Kushtetutën
apostolike “Munificentissimus Deus”. Duke u ngjitur në Qiell Maria nuk u largua nga
ne, e kemi edhe më pranë e drita e saj ndriçon jetën tonë e historinë e mbarë njerëzimit:
Të tërhequr nga shkëlqimi qiellor i Nënës së Shëlbuesit, t’i drejtohemi me besim
asaj, që nga lart na sheh e na mbron dhe ndërmjetëson pranë Zotit të Gjithëpushtetshëm.
Të gjithë kemi nevojë për ndihmën e saj e për ngushëllimin e saj, për të përballuar
provat e sfidat e përditshme: kemi nevojë ta ndjejmë pranë si nënë e si motër në çdo
çast të jetës sonë. E që të mund të kemi një ditë edhe ne përgjithmonë të njëjtin
fat, t’i ngjasim tani, duke ecur në rrugën e Krishtit e të shërbimit bujar ndaj vëllezërve.
Kjo është e vetmja mënyrë për ta parashijuar, në sa jemi akoma në shtegtimin tonë
tokësor, gëzimin e paqen që e jeton plotësisht kush arrin në cakun e pamort të Parajsës.
Shembulli i Marisë tregon se Hyji kërkon njerëz në të cilët mund të ndërtojë banesën
e vet. Krishti dëshiron të jetojë edhe në zemrën tonë. Kisha – shtëpi e Hyjit rritet
në se ne, njerëzit, e pranojmë Zotin me fenë tonë, me adhurimin tonë, me shpresën
tonë e me dashurinë tonë, duke u bërë kështu, gurë të gjallë të kësaj shtëpie shpirtërore.