2009-08-14 12:18:49

Kisha kujtoi Shën Maksimilian Kolben, martir i kampeve naziste të shfarosjes.


(14.08.2009 RV)Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar, Benedikti XVI, duke i këshilluar njerëzit e kohës sonë të mos e harrojnë Zotin, reflektoi për jetën e disa shenjtorëve, dyke u ndaluar posaçërisht tek Shën Benedikta e Kryqit (Edit Shtain) e Shën Maksimilian Kolbe të cilët, gjatë regjimit nazist, e dëshmuan besimin e tyre në Krishtin deri në martirizim.
Po kush ishte Shën Maksimiliani?
Raimondi (ky ishte emri i pagëzimit), më vonë rregulltar françeskan konventual me emrin Maksimilian, lindi në Zdunska-Vola në Poloni, më 7 janar 1894. Më 1939, kur gjermanët pushtuan Poloninë, Kolbe vijonte të jetonte në kuvendin e vet. Mbajti menjëherë qëndrim të prerë e të hapur kundra nacionalsocialistëve. U bë, kështu njeri i padëshirueshëm, prandaj nazistët e internuan në kampin e tmerrshëm të shfarosjes të Aushvicit. Ishte muaji shkurt i vitit 1941. Që nga kjo ditë ai nuk ishte më as Raimondi e as Atë Maksimiliani, por numri 16. 670. Aty nga fundi i korrikut të të njëjtit vit, në sa një nga të internuarit dënohej me vdekje, Atë Kolbe u tregua i gatshëm të zinte vendin e të dënuarit. Fali jetën e vet, për të shpëtuar një tjetër jetë. Pas dy javë vuajtjesh të papërshkrueshme, ai shtrinte krahun për gjilpërën me acid fenik, në sa buzët shqiptonin për herë të fundit mbi tokë: "Të falem Mari!". Ishte nata e solemnitetit të ‘Të ngjiturit të Zojës në qiell’ e ai nuk i kishte mbushur ende 47 vjetët.
Një vit më parë, në audiencën e përgjithshme, duke kujtuar Shën Maksimilian Maria Kolben dhe Shën Tereza Benediktën e Kryqit (Edit Shtain), që e përfunduan me martirizim jetën e tyre tokësore në kampin e nazist të përqendrimit, në Aushvic, Papa theksoi:
“Në dukje jetët tyre mund të konsiderohen një disfatë e vërtetë, por pikërisht në martirizimin e tyre shkëlqen drita e dashurisë, që mund errësirën e egoizmit e të urrejtjes. Njihen si të Maksimilian Kolbes fjalët e mëposhtme, që ai i tha në kulmin e tërbimit të persekutimit nazist: ‘Urrejtja nuk është forcë krijuese; krijuese është vetëm forca e dashurisë’. E provë heroike e dashurisë ishte dhurimi bujar i vetvetes për shpëtimin e shokut të burgut, të cilit i zuri vendin në bunkerin e urisë, ku edhe do të vdiste më 14 gusht 1941”.







All the contents on this site are copyrighted ©.