2009-08-13 16:45:38

Çelësi i fjalëve të Kishës: “Fjalët ’bashkim’ apo ‘unitet"( emisioni IV)


(13.08.2009 RV)RealAudioMP3 Në emisionin e sotëm, të dashur dëgjues, do të shpjegojmë kuptimin që merr për katolikët fjala “bashkim”, apo “unitet”.

Pluralizmi mund të jetë pasuri, siç dëshmon tryeza apo harta e kombeve në kapitullin 10 të Librit të Zanafillës, ose siç shihet në karizmat e ndryshme dhënë njerëzve nga Shpirti Shenjt, por mund të jetë edhe përçarje e ndarje, siç paraqitet simbolikisht me Kullën e Babelit. Jo më kot, Rrëshajët e krishtera përbëjnë ribashkimin e njerëzve rreth fesë.
Uniteti është karakteristikë e Hyjit, i cili nuk është shumë zota, por një Zot i vetëm, që ka lindur një Bir të vetëm, duke e ruajtur njëninë e vet. Uniteti duhet të jetë si rrjedhojë, edhe shenja dalluese e bashkësisë së besimtarëve. Nuk është unitet për qëllime strategjike, por bashkim i vërtetë, dhuratë hyjnore, që i ka rrënjët te Krishti e te Zoti: “Unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju…Banoni në mua sikurse edhe unë në ju… Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt” (Gjoni 14,20; 15,4-5). E lutja që Jezusi i bën Atit në mbrëmjen e fundit të jetës së tij tokësore vë në pah dëshirën e Krishtit që të gjithë ata që besojnë në Të të jenë një gjë e vetme, si Ati me Birin.
Shën Pali Apostull, duke kritikuar përçarjen e Kishës së Korintit, i fton besimtarët të flasin njëlloj, duke marrë shembull Krishtin, të cilin e gjejmë në Eukaristi. Në fakt në Letrën e parë drejtuar Korintianëve, shën Pali nënvizon: “Pasi është një bukë e vetme, ne edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjestarë të një buke” (10,17).
E Apostulli i Popujve e shtrin këtë koncept edhe mbi jetën e Kishës. Ajo është korpi i Krishtit, pra prania e tij shëlbuese e aktive në histori. Kisha përmban në vetvete dy përmasa të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Është unitet në veprim, por edhe shumëllojshmëri organike, pasi të shumta janë gjymtyrët e saj. Shën Pali fton që të ndërtohet uniteti, pa krijuar një bllok monolit, që do të kishte natyrën e një guri të ftohtë e jo të një krijese të gjallë. Për këtë, ai ngre në qiell dashurinë, si burim i unitetit dhe i pluralizmit. Vetëm kështu, Kisha nuk kalon në anarkinë e individualiteteve e të egoizmave, por edhe nuk bllokohet në një bashkim mbytës, pa jetë, karakteristik për diktaturën.
Kur flasim për një Kishë të vetme, ky është kuptimi i unitetit të saj. Është dhurata e dashurisë së Zotit, që e bën Kishën një, pavarësisht nga shumëllojshmëria e karizmave dhe e popujve që e përbëjnë. Prandaj, të meditojmë para fjalëve të Letrës drejtuar Efesianëve: “S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm, një shpresë të vetme, një fe, një pagëzim, një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.