2009-08-13 16:45:59

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Kushti ynë i pastërtisë ”


(13.08.2009 RV)RealAudioMP3 Vijojmë leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’, duke hapur një faqe të re: emisionin e dymbëmbëdhjetë të ciklit ‘Me Nënë Terezën’, kushtuar së Lumes, e cila sot na flet për njërin nga tre kushtet themelore të motrave të Kongregatës së saj, e jo vetëm. Është kusht me të cilin lidhen të gjithë rregulltarët, që ia dhurojnë krejtësisht jetën e tyre Krishtit të pastër, të varfër, të përvujtë. Ç’mendon bota për kushtin e pastërtisë, të diskutuar, të kundërshtuar, të miratuar e të përfolur aq shumë, edhe kohët e fundit? Ja si na e shpjegon Nënë Tereza kushtin rregulltar të pasërtisë:

“Ata që jetojnë në botë besojnë se kushti i pastërtisë na zhvesh nga karakteri njerëzor, na bën ta ndjejmë veten si gurë varri, të paaftë për çdo ndjenjë.
Secila nga ne mund t’ju sigurojë se kjo nuk është aspak e vërtetë.
Pikërisht kushti i pastërtisë na siguron lirinë për t’i dashur të gjithë njerëzit, në vend që të ishim nëna të një familjeje me dy a tre fëmijë.
Një grua e martuar mund të dojë vetëm burrin e vet.
Ne mund ta duam gjithë botën, në Zotin.
Kushti i pastërtisë nuk na gjymton.
Madje, në se mbahet me gëzim, na krijon mundësinë ta jetojmë plotësisht jetën tonë.
Kushti i pastërtisë nuk është listë e thjeshtë veprimesh që nuk duhen bërë, sjelljesh të ndaluara, të cilave duhet t’u themi ‘jo’!
Është dashuri!
Ne ia dhurojmë veten Zotit, e marrim Krishtin në zemrën tonë.
Prandaj, përmes kushtit të pastërtisë, ne i kushtohemi Atij me korp e me shpirt.
Besnikëria në gjërat e vogla na ndihmon të dashurojmë për ditë e më shumë.
Të gjithave u është dorëzuar një llambë e ndezur e të gjitha e kanë për detyrë të mos e lënë të shuhet.
E për ta mbajtur të ndezur përgjithnjë zjarrin e llambës, duhet ta ushqejmë gjithnjë me vaj.
Është vaji i veprave tona të dashurisë. Ta mbajmë, pra, të ndezur llambën tonë, në mënyrë që, kur të vijë Krishti, të na njohë menjëherë.
E nuk do të më njohë mua ose ty, por do t’i njohë të gjithë njerëzit me të cilët jemi takuar.
Do ta gjejë veten në secilin prej tyre, për shkak të dashurisë, që kanë marrë e të dashurisë, që kanë dhuruar.
Po të jetë Jezusi me ne, atëherë nuk e kemi të vështirë t’ua dhurojmë edhe të tjerëve.
Mos t’ju lëshojë kurrë zemra.
Në se ju lëshon zemra, do të thotë se jeni tepër krenare, se besoni pak si tepër në forcat tuaja.
Mos u shqetësoni për opinionin e të tjerëve.
Duke qenë të përvujta, nuk do të trazoheni kurrë.
Ndonëse kjo nuk është aspak e lehtë, sepse të gjithë dëshirojmë ta shikojmë rezultatin e punës sonë. Prandaj kur ta mohojnë a ta përbuzin, të bëjnë të vuash. Po, s’ka gjë!Ta lemë edhe këtë në dorë të Jezusit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.