2009-08-13 16:40:26

Kardinali Toran pas kthimit nga Japonia: dialogu ndërfetar duhet bazuar mbi të vërtetën.


(13.08.2009 RV)RealAudioMP3 Dialogu ndërfetar në Azi është një nga përparësitë e papnisë së Benediktit XVI e shtegtimi i kardinalit Zhan Lui Toran në Japoni, më 2 deri më 4 gusht, e konfirmoi këtë vëmendje të posaçme dhe nxiti dialogun ndërmjet të gjitha feve të Kontinentit aziatik. Ipeshkvijtë katolikë të Japonisë vendosën të shpallin një ditë të posaçme, kushtuar lutjes për dialogun ndërfetar në vend. E duhet thënë edhe se krerët fetarë të shintoizmit, të budizmit e të islamit - me të cilët u takua kardinali Toran - e vlerësuan lart rolin që luan Kisha katolike për thellimin e dialogut. Gjithsesi, Japonia është larg nga tensionet, që nganjëherë shndërrohen dramatikisht në akte dhune në vendet e tjera të Kontinentit aziatik. Por për aspektet fetare të vizitës në Japoni e për perspektivat e dialogut ndërfetar, na flet vetë kardinali Toran, në intervistën dhënë Programit francez të Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Cette année j'ai voulu regarder à l'Asie..
Sivjet mendova t’i kthej sytë nga Azia. Ajo që të bie menjëherë në sy në Japoni, është se feja vërehet kudo. Japonezët lindin në shintoizëm e praktikojnë budizmin; mund të themi, prandaj, se kemi të bëjmë me një përzjerje fetare; e kjo të krijon përshtypjen se feja bën pjesë në indin shoqëror. Ajo që më ra më shumë në sy, ishte se japonezët nuk kërkojnë në fe të vërtetën absolute, por një farë qetësie shpirtërore, që i ndihmon të përballojnë provat e jetës…

Pyetje: - Si impenjohet Kisha japoneze për dialogun ndërfetar?
 
Përgjigje: - Le dialogue interreligieux se fait au niveau des Eglises locales, non pas au niveau …
Dialogu ndërfetar zhvillohet në nivelin e kishave lokale: në nivelin e famullive, të shkollave, të universitetit… Për shembull, ne kemi një rrjet të rëndësishëm shkollash e universitetesh, që i shikojmë si terren dialogu të vetvetishëm mbi jetën e feve të ndryshme. E dialogu zhvillohet në harmoni, gjë që më preku me të vërtetë. Në këtë vend të gjithë janë të edukuar, të gjithë e respektojnë njëri-tjetrin, ndjehet fryma e një lloj ‘filozofie të harmonisë’, që ndihmon shumë në zhvillimin e një dialogu tejet të qetë…

Pyetje: - Së shpejti do të caktohet një ditë e posaçme lutjeje, kushtuar dialogut ndërfetar: mund të na thoni diçka më shumë për këtë nismë?

Përgjigje: – Nous avons pensé que ce serait bon qu’il y ait un dimanche de l’année …
Menduam se mund të jetë një gjë e mirë të caktohet një e dielë, në të cilën ndër të gjitha famullitë katolike të Japonisë besimtarët të flasin e të luten për dialogun ndërfetar. Mund të mendohet, për shembull, t’u sigurohet të gjitha famullive një përmbledhje e vogël me meditime e predikime, në mënyrë që në këtë ditë të gjithë besimtarët, të cilët marrin pjesë në Meshën Shenjte, të sensibilizohen për temën. Mendoj se kështu mund të kuptohet më konkretisht dialogu, njëkohësisht edhe të thellohet më shumë.

Pyetje: - Ju morët pjesë në kremtimet liturgjike të qyteteve Hiroshima e Nagasaki, 60 vjet pas shkatërrimit të tyre nga bomba atomike. Ç’mbresa ju lanë?
 
Përgjigje: - D’abord, quand on visite les musées, on a presque honte à appartenir à cette … Në fillim, kur viziton muzeumet, gati-gati të vjen turp nga ky lloj njerëzimi: është e pabesueshme të shikosh ç’është në gjendje të bëjë Njeriu! Është aspekt dramatik. Nga ana tjetër, të lind dëshira të thuash: “Të kujtojmë!”. Pse? Për të shmangur rrezikun e përsëritjes së ngjarjeve të tilla, tejet të hidhura, tejet çnjerëzore. Më lanë mbresë këto vende, por edhe e sidomos, vendet në të cilat, në shekullin XVI e XVII, pësuan martirizimin vëllezërit tanë të krishterë: u preka thellë. Nuk ka asnjë dyshim se kjo është Kishë, që i ka rrënjët në gjakun e martirëve.

 
Pyetje: - Pse? Ç’ndodhi në Japoni?

 
Përgjigje: - - Le Shogun, donc, lepouvoir politique, ...
Shogun, apo pushteti politik, tha: nuk mund të jeni të krishterë, sepse krishterimi është fe e ardhur nga jashtë. Pra, këtu do të jetë Jezusi, ose unë. Të krishterët u përgjigjen: “Jo, për ne Jezu Krishti është jeta. Ai është drita, e vërteta, jeta! E kështu edhe fëmijët shkuan të vdesin, së bashku me prindërit. U a prenë trupin copa-copa e i fërguan në vaj të valuar. Janë fakte të tmerrshme, të lemerishme… U thashë, prandaj, katolikëve japonezë: ju keni një të kaluar të rëndë, por edhe të lumnueshme, që duhet të japë fryte të begata. Të lutemi, prandaj, që këto fryte të jenë sa më të mira.

Pyetje: - Dialogu ndërfetar në Azi është një nga përparësitë e papnisë së Benediktit XVI. Si mund t’i ndihmojë Këshilli Papnor, i kryesuar nga ju, të krishterët e diskriminuar në vend?

Përgjigje: On ne peut aider que les évêques, favoriser les contacts … c’est ça, notre aide …Nuk mund të bëjmë tjetër, veçse t’i ndihmojmë ipeshkvijtë, t’i favorizojmë lidhjet me ta. .. kjo mund të jetë ndihma jonë. Nuk mund të bëjmë tjetër – siç e kam thënë gjithnjë - sepse dialogu ndërfetar nuk bëhet këtu, në Romë, por në vend. Benedikti XVI e shikon dialogun ndërfetar si përparësi të papnisë së Tij, në atë masë që ky Papë tregon vëmendje të madhe për të vërtetën. E dialogu ndërfetar është, mbi të gjitha, shtegtim drejt së vërtetës. Të gjithë së bashku jemi në shtegtim drejt së vërtetës, për të mos e ngritur dialogun mbi dyshimin: do të ishte njëlloj si ta dënoje me vdekje!







All the contents on this site are copyrighted ©.