Çelësi i fjalëve të Kishës: “Njohja” (emision III)
(11.08.2009 RV)Në emisionin e sotëm
do të flasim mbi “njohjen”, apo mbi aftësinë për të njohur e ditur gjërat e
botës. Për kulturën perëndimore të dish është para së gjithash një akt me natyrë
intelektive, që përfshin mendjen dhe mendimin e njeriut. Gjithsesi, jemi të vetëdijshëm
se në të kontribuojnë edhe ndjenjat e jemi të sigurtë se ekzistojnë edhe shtigje të
tjera për të njohur botën, si arti e dashuria, të cilat vënë në pah aftësi të tjera
njerëzore. Në qytetërimin e Lindjes së Afërme, njohja është përvojë globale, që përmbledh
në vetvete më tepër përmasa, se ato që pranon bota perëndimore. Në këtë mënyrë, Lindja
e pranon më lehtë unitetin e thellë të njeriut, që mendon e vepron. Kështu, edhe
“njohja” për të cilën flitet në Bibël – shprehur nga fjala hebraishte “jadà” e nga
ajo greqishte “ghinòskein” – ka të bëjë pa dyshim me aspektin intelektiv e racional,
por shkon më thellë, duke përfshirë edhe ndjesat e madje edhe veprimtarinë e njeriut.
Për të krishterët, njohja është dashuri. Në këtë mënyrë, njohja bëhet edhe
një përvojë jetësore me karakter moral e fetar, që ka të bëjë me krejt personin e
sjelljen e tij. Profeti Ozeja në një frazë të famshme, të përdorur më vonë edhe nga
Jezu Krishti, bën paralelizëm ndërmjet fjalëve “dashuri” e “njohje” dhe i përdor si
sinonime: “Dua dashurinë e jo flijimin, njohjen e Zotit më tepër se holokaustet”.
Në këtë drejtim lëviz edhe Shën Gjoni Ungjilltar për të cilin “jeta e pasosur është
të njohin Ty, një të vetmin Hyjin e vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin” (17,3). Kjo
njohje pra nuk është abstrakte e “teologjike”, por jetësore, siç shpjegohet në Letrën
e parë të Gjonit: “Secili që ka dashuri, ka lindur prej Hyjit dhe Hyjin e njeh. Kush
nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri”(4,7-8). Natyrisht,
mund të arrijmë te Zoti përmes arsyes, siç thuhet në Librin e Urtisë: “sepse prej
madhështisë dhe bukurisë së krijesave, mund të njihet për analogji Krijuesi i tyre”
(13,5). Por për të njohur më thellë e për të hyrë në brendësinë e gjërave është e
nevojshme që vetë Zoti të zbulohet, pra të bëhet i njohur për ne. Ky është misioni
i Birit të tij, Jezu Krisht: “Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm – që është
Hyj, një natyre me Atin, Ai e bëri të njihet” (Gjoni 1,18). Për këtë, janë sugjestive
fjalët e Jezusit: “Askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit, dhe askush s’mund ta
njohë Atin përveç Birit, e përveç atij kujt do Biri t’ia zbulojë” (Mateu 11,27). Për
këtë arësye, i krishteri duhet të lutet për të fituar njohjen e vërtetë, e cila nuk
është e njëjtë me diturinë që na jep arsyeja. Gnostikët e shekullit II në Egjipt kaluan
në herezi pikërisht sepse mendonin se vetëm njohja intelektuale njerëzore do të mund
ta shpëtojë njeriun. Në të vërtetë, njohja më e thellë e botës arrihet përmes dhuratës
së shpirtit të diturisë e zbulesës, që na e ofron Hyji i Zotit tonë Jezu Krisht.