2009-08-12 18:08:14

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Lutje e gëzim”


(11.08.2009 RV)RealAudioMP3 Vijojmë leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’, në të cilin tregohen ngjarjet e një jete të jashtëzakonshme, kaluar ditë për ditë pranë të mjerëve, të gërbulurve, kancerozëve, njerëzve pa bukë e pa dije e, megjithatë, plot me gëzim. Është gëzimi që buron nga një zemër e ndezur prej dashurisë për Zotin. Në emisionin e njëmbëdhjetë të ciklit ‘Me Nënë Terezën’, e Lumja na fton edhe ne ta provojmë ndjenjën që buron nga binomi:”Lutje-gëzim”. E kështu titullohet edhe rrëfimi i sotëm i Themelueses së Kongregatës së Motrave të Bamirësisë:

“Pikërisht dje një rishtare erdhi të më takonte. Qante me lot të valë.
E pyeta:
“Ç’ke që qan kështu!”.
Sapo ishte kthyer nga vizita në një familje tejet të varfër.
Më tha:
“Nënë, nuk kam vuajtur kurrë kaq shumë në jetën time. Në atë shtëpi, ku mungonte gjithçka, kishte hyrë edhe sëmundja e tmerrshme, kanceri. E ndjeva veten plotësisht të çarmatosur. Më jep lejë të bëj pak pendesë. Vetëm kështu mund ta jetoj edhe unë sadopak vuajtjen e tyre…”.
Ishte një motër shumë të re. Kishte ardhur mes nesh, në Kongregatë vetëm prej tri vjetësh, por e kishte përvetësuar menjëherë mësimin e madh: të qante, me ata që qajnë e të gëzohej, me ata që gëzohen.
Nuk duhet të kemi turp ta duam Krishtin me të gjitha emocionet tona.
Një nuse e do fatin e vet me gjithë zemër.
‘Lulja e vogël’ – siç quhej Tereza e Krishtit Fëmijë, në jetëshkrimin e saj ‘Histori i një shpirti’, po fliste me një kushërirë, që i kishte shkuar për vizitë.
Gruaja s’pushonte së lavdëruari bashkëshortin e saj. Fliste plot admirim për flokët e tij të gjatë e të dredhur, për sytë e tij të bukur e për mrekulli të tjera të këtij burri, që i kishte rënë për short: donte të shprehte, kështu, dashurinë pa fund që kishte për të.
Lulja e vogël e dëgjoi me vëmendje e menjëherë pas shkroi në ditarin e saj: “Nuk do të lejoj kurrë që ndonjë grua ta dojë fatin e vet, aq sa të dua unë ty, Jezusi im i adhuruar”.

 
U them shpesh motrave të mia:
“Gëzim e lutje. Gëzim e forcë! Gëzim e dashuri. Gëzimi është rrjet dashurie, me të cilin mund t’i peshkojmë shpirtrat.
Zoti do atë, që dashuron bujarisht. I jep më shumë, atij që jep me dashuri. Forma më e mirë për t’i shprehur mirënjohjen tonë Zotit e njerëzve, është ta pranojmë gjithçka me gëzim. Zemra e gëzuar është zemër e ndezur nga dashuria. Mos lejoni kurrë që ndokush t’ju trishtojë aq, sa ta harroni gëzimin që buron nga Krishti i ngjallur”.
E vijoj t’u them motrave:
“Nuk duhet të duam me fjalë; duhet të duam deri në dhimbje! Edhe Jezusi na deshi deri në dhimbje, deri në atë pikë, sa të vdiste për ne. E tani na takon ne, mua e ju, ta duam njëra –tjetrën si na deshi Jezusi. Nuk duhet të kemi frikë t’i themi ‘po’ Jezusit, deri në dhimbje, deri në Kryq, që në jetën tonë të përditshme mund të ketë forma nga më të ndryshmet”. 







All the contents on this site are copyrighted ©.