2009-08-12 18:03:15

Papa në audiencën e përgjithshme: meshtarët ta duan Marinë me devocion birnor. Thirrje për popullsitë aziatike të dëmtuara nga tifoni


(11.08.2009 RV)RealAudioMP3 “Maria, Nënë e meshtarëve” – ishte tema, në qendër të katekizmit të sotëm të Papës në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Kastel Gandolfo. Më pas Benedikti XVI bëri thirrje për solidaritet në ndihmë të popullsive aziatike, të dëmtuara rëndë nga tifoni.

Në prag të Solemnitetit të të Ngjiturit të Zojës në Qiell e në kuadrin e Vitit Meshtarak, Papa foli sot për lidhjen e ngushtë ndërmjet Nënës së Krishtit e meshtarisë, lidhje që i ka rrënjët thellë në misterin e Mishërimit. Për t’u bërë njeri – shpjegoi Ati i Shenjtë – Zoti pati nevojë që një nga krijesat e veta t’i thoshte lirisht ‘po”:
“Hyji nuk vepron kundër lirisë sonë e ndodh një gjë e jashtëzakonshme: Zoti e vë veten në vartësi të lirisë së një ‘po-je’, shqiptuar prej njërës nga krijesat e veta. E pret këtë ‘po’. Shën Bernardi i Kjaravales, në një nga homelitë e tij, e shpjegoi në mënyrë dramatike këtë çast vendimtar për historinë universale, në të cilin Qielli e Toka janë në pritje e edhe vetë Zoti pret ç’do të thotë krijesa e tij”.
Pohimi i Marisë është porta nëpër të cilën Zoti mund të kalonte për t’u bërë njeri – vijoi Papa – e kështu Maria u përfshi thellësisht në misterin e Mishërimit e të shëlbimit tonë, që u krye nga Krishti, përmes dhurimit të tij në Kryq. Këtu Jezusi ia besoi Nënën e tij dishepullit të dashur:
“Ungjilli na thotë se që nga ky çast Shën Gjoni, dishepulli i dashur, e mori Nënën, Marinë, në shtëpi të vet. Kështu sipas përkthimit italian. Ndërsa teksti grek është shumë më i thellë, shumë më i pasur. Mund ta përkthejmë: “E mori Marinë në thellësitë e jetës së vet, në thellësitë e vetvetes”: ta marrësh me vete Marinë, do të thotë ta kesh gjithnjë me vete, në shpirtin tënd, në çdo çast të jetës - sepse nuk është gjë e jashtme – në gjithçka përbën horizontin e apostullimit tënd”.
Në bazë të dashurisë së veçantë që ka Maria për meshtarët, është një lidhje e posaçme, lidhja e Nënës me bijtë. Nëna e Zotit i do meshtarët për dy arsye:
“Sepse janë më të ngjashëm, ndërmjet të tjerëve, me Jezusin, që ajo e deshi mbi gjithçka e pse ata, ashtu si ajo, impenjohen në misionin për ta shpallur, për ta dëshmuar e për t’ia dhuruar Krishtin botës. Për shkak të njëjtësimit e të ngjashmërisë sakramentore me Jezusin, Birin e Hyjit e të Marisë, çdo meshtar mund e duhet ta ndjejë veten me të vërtetë bir i dashur i tejet të lartës e tejet të përvujtës, Nënës së Zotit”.
Koncili II i Vatikanit – nënvizoi Benedikti XVI – i fton meshtarët ta nderojnë e ta duan Marinë, duke e parë si model të përkryer për jetën e tyre. E këtu Papa lartoi një lutje prekëse:
“Të lutemi që Maria t’i bëjë të gjithë meshtarët, në të gjitha problemet e botës së sotme, të ngjashëm me figurën e Birit të saj, Jezusit, shpërndarës të thesarit të paçmueshëm të dashurisë së Bariut të mirë. Mari, Nënë e meshtarëve, lutu për ne!”.
Së fundi, pas përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme të botës, Papa kujtoi popullsitë e shumta, dëmtuar rëndë nga tifoni, i cili këto ditë përfshiu kryesisht Filipinet, Taivanin, disa krahina jug-lindore të Republikës Popullore të Kinës e Japoninë, vend ky i fundit, që u vu në provë edhe nga një tërmet i fuqishëm. Këto fatkeqësi të natyrës shkaktuan humbje të rënda në njerëz e në ekonomi:
“Dëshiroj t’u shpreh afërsinë time shpirtërore të gjithë atyre, që ndodhen në kushte të vështira e i ftoj të gjithë të luten për ta e për të dashurit e tyre të vdekur. Uroj të mos u mungojnë solidariteti e ndihmat materiale”.







All the contents on this site are copyrighted ©.