2009-08-12 18:07:34

Imzot Filoni: të krishterët irakianë kanë të drejtë të respektohen


(11.08.2009 RV)RealAudioMP3 Iraku ka nevojë për më shumë shpresë. E kjo, sepse po të shuhej shpresa, me të, shumë shpejt, do të shuhej edhe bashkësia e krishterë”: këtë pohon kryeipeshkvi Fernando Filoni, zevendës-sekretar i Sekretarisë së Shtetit të Shenjtërisë së Tij, nunc apostolik në Irak në vitet 2001-2006, në një intervistë dhënë gazetës vatikanase ‘L’Osservatore Romano’ me rastin e përkthimit në gjuhën franceze të librit: “Kisha në trojet e Abrahamit”, botuar në gjuhën italiane më 2006.
“Nunci nuk është thjeshtë spektator, por njeri që merr pjesë në realitetin e vendit ku ndodhet, të cilit edhe i përket sadopak”. Janë fjalët e imzot Filonit i cili, duke kujtuar vitet e kaluara në Irak, pohon se e ndjeu veten irakian ndërmjet irakianëve. Më pas kujton se edhe në troje të rrënuara nga lufta e nga dhuna, nuk mungon kurrë solidariteti e nderimi. E ndalet posaçërisht tek kjo ngjarje: në vitin 2006, kur një autobombë shpërtheu pranë nunciaturës, një mysliman, së bashku me 30 punëtorë, erdhi menjëherë për të ndrequr dëmet. Ishte një mënyrë për të shprehur nderimin e dashurinë e tij. Vendosa të rri në Bagdad gjatë luftës – vijon të kujtojë nunci apostolik - kryesisht për t’i dëshmuar në jetë kushtet e mia meshtarake. Mendova: “E si mund të mbrohen delet, në se bariu ikën pikërisht në çastet, kur grigja kërcënohet nga ujku?”. Qëndrimi në Irak ishte edhe një mënyrë për të inkurajuar Kishën irakiane.
Më pas imzot Filoni ndalet gjatë tek ngjarjet historike mijëvjeçare, për të tërhequr vëmendjen mbi ndërlikimet e realitetit bashkëkohor. Popullsia irakiane – vëren kryeipeshkvi – vijon të tronditet rëndë nga shpërthimet e bombave e vëshirësi të tjera, të të gjitha natyrave: gjithnjë më shpesh atentateve u shtohen mungesa e ujit ose e rrymës elektrike, vështirësitë për të gjetur punë, mangësitë e shkollës e, sidomos, mungesa e sigurisë. Por ardhmëria – shton prelati – është në duart e irakianëve e në se sistemi edukativ do të funksionojë me ritëm të plotë, Iraku do të mund të mbështetet në forcat e veta, të ngrihet përsëri në këmbë. Imzot Fernando Filoni pohon, në përfundim, se të krishterët, bashkësia irakiane, që jeton këtu prej shekujsh, ka të drejtë të jetojë në trojet e të parëve, në ‘Tokën e Abrahamit”, ashtu si ka të drejtë të kërkojë t’i respektohet plotësisht dinjiteti. Në se bashkësia e krishterë do të niste udhën e mërgimit, dëmi kulturor e fetar do të ishte i pallogaritshëm. Prandaj – përfundon ipeshkvi – e kemi për detyrë t’i ndihmojmë të krishterët irakianë e t’u ngjallim atyre shpresa të reja. Në mos materialisht, shpirtërisht. Duke u lutur për ta. E këtë mund ta bëjmë të gjithë, pa përjashtim!







All the contents on this site are copyrighted ©.