2009-08-11 17:15:34

Çelësi i fjalëve të Kishës (emisioni II)


(11.08.2009 RV)RealAudioMP3 Vazhdojmë ciklin tonë kushtuar fjalëve të fesë së krishterë, me shpjegimin e “bekimit” të krishterë.

Rrënja hebraike e fjalës “bekim” (brk) na çon çuditërisht drejt “gjurit”, jo në kuptimin e gjunjëzimit, por për të shprehur seksualitetin e atij që bekonte. Në fakt, bekimi hyjnor në një shoqëri agrare e rurale shfaqej sidomos në fekonditetin e familjes, të grigjës e të prodhimit, siç është bekimi i Izakut për Jakobin në Librin e Zanafillës: “Të dhëntë Perëndia, bashkë me vesën e qiellit e tokë të pëlleshme, begati drithi e vere” (Zan 27,28).
Në Bibël mund të dallojmë kryesisht dy lloje bekimesh. I pari quhet nga studiuesit “kushtetues”, pasi vjen nga Zoti dhe “krijon” një person apo një popull, duke i dhënë vokacionin e misionin. Mund të përmendim bekimin e Abrahamit e të brezave pas tij. Një shembull i shkëlqyeshëm bekimi kushtetues ritual është ai që tregohet në Librin e Numrave dhe që u besohet meshtarëve, të cilët duhet ta bekojnë popullin kështu: “Zoti të bekoftë e të ruajtë! Të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e ta dhëntë paqen”. Fytyra hyjnore që ndrit në buzëqeshje zbulon edhe një përmasë “morale” të bekimit: në fakt, Zoti i dhuron bekimin e vet atij që është besnik dhe i drejtë. Prandaj, bekimi i Zotit duhet merituar e varet edhe nga qëndrimet tona personale apo ato të bashkësisë, siç i kujton Moisiu Izraelit: “Ja, po ju vë para sot bekimin dhe mallkimin: bekimin, nëse do t’i dëgjoni urdhërimet e Zotit, Hyjit tuaj” (Lp 11,26-27).
Ekziston edhe një lloj tjetër bekimi, i cili përkufizohet si “deklarues”: ai vjen nga njeriu që “deklaron” fenë e vet dhe i thur lavde Hyjit. Kështu, te psalmet gjendet shpesh fraza “Bekoje Zotin, o shpirti im”. Edhe Jezu Krishti, i cili nganjëherë i bekon njerëzit me bekimin “kushtetues”, lutet duke thënë: “Të bekoj, o Atë…”, siç dëshmon Ungjilli sipas Mateut. Po kështu bën edhe shën Pali Apostull, duke na ofruar shembuj të mrekullueshëm bekimesh “deklaruese” që i drejtohen “Hyjit, Atit të Zotit tonë Jezu Krisht”.








All the contents on this site are copyrighted ©.