Sipas Karitasit, dënimi i emigrantëve të parregullt do të ketë ndikime negative
(11.08.2009 RV)Në Itali duhet të
ketë rreth një milion emigrantë të parregullt. Shifër më e lartë, se ajo që jep OSBE-ja,
sipas së cilës numri i emigrantëve pa dokumenta duhet të jetë rreth 500 deri në 750
mijë vetë. Korrigjimi bëhet nga Karitasi, që i rikthehet kësaj teme shumë delikate
për vendet nga vijnë emigrantët, në një çast tensioni politik, kur hyn në fuqi ligji,
sipas të cilit klandestiniteti konsiderohet krim e fillojnë arrestimet e para, kur
roli i emigrantëve në sektorin e punëve të ndryshme, sidomos të punëve të rënda të
krahut, vijon të bëhet gjithnjë më i nevojshëm. Për një koment të situatës, ftuam
në mikrofonin tonë Oliviero Fortin, drejtor për emigracionin pranë Karitasit
italian:
Përgjigje: - Sigurisht që shifra një milion është
e rrumbullakosur, kështu mund të rinisemi nga shifra më e ultë prej një gjysëm milioni,
për të arritur tek një milion emigrantë, që jetojnë pa dokumente në Itali. Por kjo
nuk ndryshon gjë. Është fjala për një numër shumë të madh personash pa lejë qëndrimi,
të cilët sot bëjnë punë të shumëllojta, sidomos në gjirin e familjeve italiane. Shifra
mbetet e papërcaktuar, sepse historikisht nuk është vërejtur asnjë dëshirë për ta
trajtuar me seriozitetin e duhur fluksin e hyrjes së emigrantëve.
Pyetje:
- Ç’pasoja do të ketë mbi këtë numër, gjithsesi tejet i madh, krimi i klandestinitetit?
Përgjigje:
- Besojmë se nuk do të ketë kurrfarë ndikimi pozitiv mbi dyndjen e emigracionit
drejt vendit tonë. Nuk bën tjetër, veçse i rëndon procedurat, edhe kështu tejet të
rënda. Madje mund të themi se thellon edhe atmosferën e intolerancës, të një farë
qëndrimi armiqësor, kundër të cilit flitet shumë por, siç e shikoni, bëhet pak, madje
përkundrazi, ndizet më keq përmes qëndrimeve të tilla.
Pyetje: -
Pra edhe ju, si OSBE- ja, mendoni se shumica e emigrantëve punojnë?
Përgjigje:
- Tashmë dihet se vendi ynë ka nevojë për punëtorë, pa marrë parasysh lejet
e qëndrimit. I duhen sidomos për të mbështetur shtresat e ligështa të shoqërisë: të
moshuarit e të sëmurët. Por jo vetëm ata: mendoj se ka nevojë edhe për punë të tjera
bujqësore, sidomos në këtë periudhë. E pikërisht këtu vërehet shumica e parregullsive.
Kështu përpjekja duhet bërë në mënyrë më të ndjeshme. Nuk duhen pajisur me dokumente
vetëm gratë, që shërbejnë nëpër shtëpi si kujdestare të të moshuarve apo si bashkëpunëtore
në punët e përditshme, por edhe punëtorët e kategorive të tjera.
Pyetje:
- Polemika kanë lindur edhe për problemin e integrimit të emigrantëve, në sa
historia vijon të na japë mësime të reja. Ç’mund të na thoni për integrimin e vërtetë?
Përgjigje:
- Integrimi realizohet pas një procesi të gjatë, të ndërlikuar, që duhet
bërë me vullnetin e të dyja palëve. Nuk ka ligj as normë, që mund ta përcaktojë si
duhet këtë proces. E megjithatë nuk duhet të mungojnë përpjekjet pozitive edhe në
këtë drejtim, që nuk është më pak i rëndësishëm nga dokumentet, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt
me njeriun, me të ardhmen e tij e të vetë vendit.