Kisha përkujtoi sot Festën e Shën Kjarës së Asizit, ‘filiz i Shën Françeskut”.
(11.08.2009 RV)Papa e kujtoi në
lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar, si Virgjër që digjej nga dashuria
hyjnore, në sa ia dhuronte Zotit vetveten ditë për ditë në lutje e në jetën e zakonshme.
Ishte nata pas së Dielës së Larit, 18 mars 1212, kur Kjara, bijë e një familjeje
fisnike të Asisit, shkoi fshehurazi në Porciunkola, ku e prisnin Shën Françesku e
sivëllezërit e tij, për të veshur zhgunin françeskan e për të bërë kushtin e varfërisë.
Shembull i finikërisë së shpirtit, u shpall shenjtore në vitin 1255, dy vjet pas vdekjes,
nga Papa Aleksandri IV. Mbi figurën e Shenjtes flet, në mikrofonin tonë, eprorja
e përgjithshme e Udhërit të Motrave Apostolike të Rietit, në Itali, motër Maria
Rita Sola Vagjione:
Përgjigje: - Më pëlqen ta kujtoj me
shprehjen që përdoret zakonisht, kur flitet për të: “Filiz i Françeskut”, pemë që
u rrit e lulëzoi mbi rrënjën e mbjellë nga Shën Françesku, mbi dashurinë për Krishtin
e varfër e të kryqëzuar, që na dhuron gjithë vetveten. Kështu edhe Kjara e dhuroi
plotësisht vetveten, duke u bërë nënë e motër jo vetëm për simotrat e veta të varfëra
të Shën Damianit, por edhe për Shën Françeskun e fretërit e tij. Provoi, kështu, përvojën
rregulltare të amësisë. E shikoj Shën Kjarën si një vazo alabastri, që u zbraz krejtësisht,
për t’u mbushur pastaj me dritën e Zotit. Duke pasur gjithçka, deshi të mos kishte
asgjë. E zgjodhi lirisht rrugën e vet, për dashuri të Krishtit, duke na lënë një trashëgimi
të begatë, si grua që e jetoi plotësisht e në mënyrë krijuese jetën e saj rregulltare,
por edhe femërsinë e saj. E jo vetëm ne, që ecim në gjurmët e Kjarës, por edhe mbarë
Kishës.
Pyetje: - Që prej 51 vjetësh Shën Kjara është shpallur pajtore
e televizionit. Pse? Ç’ndodhi natën e Krishtlindjes të vitit 1252?
Përgjigje:
- Pati hirin të ishte e pranishme në kremtimin e Krishtlindjes nga fretërit
e vegjël, pa luajtur fare prej shtrojës, ku jetoi e sëmurë për 27 vjet. Me këtë dhuratë
të posaçme, arriti të kapërcejë pengesat e hapësirës. E dhe sot ajo është e pranishme
mes nesh, me mrekulli shpirtërore.
Më shumë për jetëshkrimin e Shën
Kjarës: Lindi më 16 korrik 1194 në Asizi. Ishte bijë e Favrone Offreduccios
dhe Ortolanës. Emri i saj është i lidhur ngusht me atë të Shën Françeskut. Kur fama
e Françeskut u përhap në gjithë qytetin, në sa një pjesë e mirë e asizianëve mendonin
se i biri i Bernardonit ishte çmendur, Kjara u mahnit nga ideali françeskan i varfërisë,
ndjeu një thirrje të fuqishme për ta ndjekur dhe, duke ecur në këtë rrugë, u mbyll
në kuvend bashkë me shoqet e para. Themeloi kështu klariset, murgesha kundruese,
që u përhapen kudo në botë. Kjara vdiq më 11 gusht 1253. Në salikimet e saj solemne
mori pjesë edhe Papa Inoçenci IV me një numër të madh shoqëruesish nga autoritetet
më të larta të Kishës. Natyrisht për të marrë pjesë në një ngjarje kaq të jashtzakonshme,
rrani gjithë populli i vendit e i rrethinave. Nuk ishte parë kurrë një turmë aq e
madhe në Asizi. Papa propozoi që salikimet të mos kremtoheshin me oficen e të vdekurve,
por me atë të virgjërave. Në këtë mënyrë do ta shpallte shenjte para se të zbriste
në varr. Njëri nga kardinajt i tërhoqi vëmendjen, duke i kujtuar se një kremtim i
tillë nuk përkonte me praktikën e Kishës. Dhe qe një fat i madh, sepsè gjatë procesit
për shenjtërimin e saj u pyetën shumë dëshmitarë dhe u grumbulluan dëshmi, të cilat
përbëjnë një pasuri për françeskanizmin e për mbarë Kishën. Por të mos ishte ndjekur
praktika e shenjtërimit, këto dëshmi ndoshta nuk do të ishin njohur kurrë. Tepër
aktual për kohën tonë shembulli i Shën Kjarës, që mbahet gjallë e vijon të përhapet
në botë nga nëntëqind kuvende, në të pesë kontinentet, edhe në Shqipëri, ku klariset
qenë vendosur njëherësh me françeskanët, për t'u larguar vetëm në prag të pushtimit
turk, duke lënë në trojet shqiptare sivëllezërit e tyre, që vijuan të jetojnë bashkë
me popullin shqiptar në ditë të bardha e të zeza. U kthyen rishtas sapo u krijuan
kushtet për apstullimin e tyre. Pas rënies së diktaturës ata hapën shtëpinë e tyre
të parë në dioqezin e Sapës. Rregulli i Shën Kjarës,pavarësisht nga
kalimi i shekujve, e ruan të paprekur joshjen e vet shpirtërore dhe pasurinë teologjike.
Klariset janë të thirrura të jetojnë sipas përsosurisë ungjillore, duke e gjetur në
Krishtin programin e vetëm e të vërtetë të jetës. E kjo përbën një sfidë për njerëzit
e kohëve tona e jo më pak një propozim, në një botë që karakterizohet nga cektësia
e pakënaqësia, gjë që të krijon idenë se njeriu e ka humbur identitetin e vet, nga
që nuk kujtohet më se ka lindur nga dashuria e Zotit e se Zoti e pret në bashkimin
që s'ka fund. Shën Kjara e ndoqi Krishtin në përvojën e përvujtërisë e të varfërisë
rrënjësore, deri te Kryqi. E zgjedhja e rrugës së varfërisë është kërkesë themelore
e Ungjillit, të cilin Shenjtja e jetoi pikë për pikë, e mbyllur në kuvendin e Shën
Damianit, në Asizin e paqes e të mirave.