2009-08-10 18:02:55

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Pse zgjedhim varfërinë?”.


(10.08.2009 RV)Në leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’, përmes ciklit të emisioneve ‘Me Nënë Terezën’, kushtuar së Lumes shqiptare ndodhemi përballë konceptit tejet të ndërlikuar të varfërisë. Ç’do të thotë varfëri? Kush mund të quhet vërtetë i varfër? Njeriu lind i varfër, apo bëhet; dëshiron apo nuk dëshiron të jetë i varfër; e zgjedh vetë këtë rrugë apo i imponohet? Ç’qëndrim duhet mbajtur ndaj të varfërve të natyrave të ndryshme? Në emisionin e nëntë, që titullohet: ‘Pyetje mbi varfërinë” e Lumja Terezë përgjigjet:
 
“Motrave të mia u them se kam dëshirë që, duke jetuar në varfëri të plotë, të provojnë atë ‘lumturi të përsosur’, që pati provuar Shën Françesku i Asisit, i cili e thërriste “Zonja varfëri”.
Ndërsa për Injacin e Lojolës ishte ‘Nëna Varfëri”.
Sa më shumë kemi, aq më pak mund të japim.
Më mirë të kesh pak, që ta dhurosh gjithçka për Jezusin.
Për ne, të praktikosh varfërinë, do të thotë t’i qepim veshjet tona sa më mirë që të jetë e mundur.
Të endesh rrugëve me sarin e grisur, nuk është, sigurisht, simbol i virtytit të varfërisë.
Ne – u them motrave të mia – nuk bëjmë kushtin e varfërisë së lypsarëve, por të varfërisë së Krishtit. Nuk duhet të harrojmë edhe se trupi ynë është tempull i Shpirtit Shenjt e se, për këtë arsye, duhet respektuar, duke veshur rroba të denja, të vjetra ndoshta, por të arnuara sa më mirë.
U them motrave se një nga arsyet për të cilat të varfërit janë të mëdhenj e se duhet ta ndjemë vetën shumë mirënjohëse ndaj tyre, është fakti që na pranojnë.
E kjo, sepse po të mos na pranonin, ne nuk do të ishim ‘Misionare të Bamirësisë”.
Përpiqem të shqyrtoj në se varfëria e motrave përkon fjalë për fjalë me kushtetutën tonë.
Ua kujtoj posaçërisht eproreve të shtëpive.
Nuk është aspak e vështirë t’i shmangesh varfërisë. Mjafton një hap i vogël, për një largim të madh.
Kur hapim shtëpi të reja në vendet e pazhvilluara, ndonëse zakonisht shkojmë e ngulim në zonat më të varfëra, ngulmoj gjithnjë e me të gjitha forcat për respektimin e kushtit të varfërisë.
U them shpesh atyre që na mikpresin:
“Po jua besoj motrat e mia. Kini kujdes për to e ndihmojini ta mbajnë kushtin e varfërisë, sepse varfëria është paja jonë. Mos lejoni t’u zbehet dashuria për varfërinë”.
Një njeri i shquar i Nju Delhit, duke përmenduar motrat tona, pati thënë:
“Ç’ shfaqje mahnitëse t’i shikosh motrat plotësisht të çliruara nga bota, në një kohë kur kush nuk e jeton çastin aktual, shikohet si njeri jashtë mode”.
Mungesa e burimeve ekonomike nuk na pengon kurrë për hapjen e shtëpive, në të cilën vlejnë kushtet, jo orenditë.
Po kujtoj vetëm një shembull. Një herë morëm një letër nga Koreja e Jugut. Na siguronte se puna e motrave do të ishte tejet e nevojshme në një dioqezë, por sqarohej edhe se ipeshkvi ishte tepër i varfër e nuk mund të na jepte gjë prej gjëje për të hapur shtëpinë e re.
Natyrisht e hapëm shtëpinë, ku motrat vijojnë të punojnë.Ngul këmbë përsëri: mungesa e mjeteve materiale nuk na ka penguar asnjëherë. Mjetet arrijnë gjithnjë në kohën e duhur, me rrugë nga më të ndryshmet, nga më të çuditshmet e më të papriturat! Mendon Tjetërkush për to!".







All the contents on this site are copyrighted ©.