2009-08-10 17:51:58

Katër atentate në Irak: goditen Bagdadi e Mosuli


(10.08.2009 RV)Vijon dhuna në Irak. Së paku katër atentate tronditën sot paradite Vendin e Gjirit. Patën si pasojë vdekjen e 46 personave e plagosjen e 217 të tjerëve. Qytetet më të goditura nga dhuna janë Bagdadi e Mosuli. Ngjarja më tragjike ishte ajo e Khaznanit, një fshat pranë zonës së trazuar veriore të Niniveh: u hodhën në erë dy tanke me lëndë shpërthyese, që vranë më se 30 vetë e plagosen 31 të tjerë. U bënë rrafsh me tokën rreth 40 shtëpi, që ngriheshin pranë xhamisë shiite e cila, me sa duket, ishte objektivi i vërtetë i këtij sulmi. Në Bagdad dy autobomba patën si shënjestër dy grupe punëtorësh mëditës, të mbledhur në vendet e përditshme, prej nga shpërndahen sipas kërkesave. Punëtorët e sulmuar ishin të gjithë shiitë.
Atentatet e sotme tregojnë qartë se në vend po rifillon edhe dhuna ndërkonfesionale, ndërsa vijon prej kohe ajo antikristiane.







All the contents on this site are copyrighted ©.