2009-08-10 17:53:54

Festa e Shën Lorencit. Papa: si ai, luftojeni të keqen me të mirë, duke dashur deri në fund të fundit!


(10.08.2009 RV)Sot Kisha kremtoi festën liturgjike të Shën Lorencit, diakon e martir, mbytur në vitin 258, gjatë persekutimit nën Valerianin.
Jemi në shekullin III pas Krishtit. Perandoria romake lëkundet, sulmohet nga të katër anët, posaçërisht nga gotët e persianët.
Perandori Valerian, duke dashur ta forcojë unitetin e perandorisë rreth kultit pagan, shpërthen një nga persekutimet më të egra kundër të krishterëve. Dishpujt e Krishtit janë tepër të ndryshëm nga të tjerët e për këtë asrye, shikohen si njerëz të rrezikshëm: minojnë ideologjinë e shtetit, që nuk i duron kundërshtarët. Ndryshe nga paraadhësit, Valeriani nuk synon të mbysë sa më shumë besimtarë të thjeshtë. Kërkon të zhdukë prijësit. Nën sundimin e tij u pritet koka dy papëve: Shtjefnit I e Sikstit II e Shën Lorenci vdes, i pjekur në skarë.
Por nuk është vetëm fundi i tij, ai që e bën të dashur për besimtarët: ndër afresket e të Lumit Angelico, në kapelën vatikanase të papës Nikolla V, shenjtin e shikojmë duke u shpërndarë të varfërve lëmoshët, që Kisha i mblidhte për ta. Kjo në të vërtetë ishte një nga detyrat e diakonëve e Lorenci, krijuar arqidiakon nga papa Siksti II, ishte epror i bashkësisë së diakonëve romakë. Kështu u përhap fjala se ai ishte tepër i pasur, se fshihte thesare, prandaj para se të piqej në skarë, perandori i kërkoi t’i dorëzonte këto pasuri, për të cilat kishte dëgjuar të flitej. Shenjti tregoi me gisht një grumbull skamnorësh, krejtësisht të raskapitur nga mjerimi dhe brohoriti: “Ja thesaret tona, që s’ pakësohen kurrë, që bëjnë gjithnjë fryte të reja e mund t’i gjesh kudo”.
Shën Leoni i Madh, në një homeli, duke përshkruar martirizimin e Lorencit mbi skarë, tregon: “Në sa e piqnin, ai gjente forcë të bënte shaka me njeriun që e rrotullonte mbi zjarr, për ta torturuar sa më egërsisht. I thoshte “A nuk e shikon se nga kjo anë tashmë jam pjekur si s’ka më mirë? Rrotullomë pra, nga ana tjetër.....”.
Kamzhiku, hekurat, xhelati, gacat e ndezura nuk munden ta mposhtin fenë e Lorencit, që u shndërrua në flakë të gjallë për Krishtin më 10 gusht të vitit 258!
Kështu përfundoi Shenjti, ndërsa dy vjet pas martirizimit të tij, Valeriani u kap nga persët e – sipas rrëfimit të traditës, mbreti i tyre e përdori si stol për të hipur në kal. Më pas vdiq i burgosur, larg nga Roma e tij, në një vend të humbur e të harruar.
Ndërsa mbi trupin e pjekur të Shën Lorencit, në fushën e Veranos, u ngrit një nga bazilikat madhështore të krishterimit, ku njerëzit vijojnë të gjunjëzohen pranë relikeve të tij e t’i kërkojnë të ndërmjetësojë për ta pranë Zotit.
Prandaj Papa Racinger na fton të ndjekim shembullin e Shenjtit, model për të gjithë të krishterët:
“Të shumëdashur, mundohuni t’i përngjani e, si ai, të jeni gjithnjë gati për t’iu përgjigjur besnikërisht thirrjes së Zotit”(Audienca e përgjithshme e 10 gushtit 2005).
Të gjithë shenjtorët, posaçërisht martirët – na kujtoi përsëri dje në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI – janë dëshmitarë të Hyjit-Dashuri, të asaj dashurie, që di të dojë deri në fund të fundit, që nuk i përgjigjet së keqes me të keqe, por e lufton të keqen me të mirë:
“Prej tyre ne të gjithë, e posaçërisht meshtarët, mund të kuptojmë heroizmin ungjillor, që të shtyn, pa kurrfarë frike, të japësh jetën për shpëtimin e shpirtrave. Dashuria fiton mbi vdekjen!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.