2009-08-09 12:51:08

Tonalestate:dialogu ndërmjet shkencës e fesë në shoqërinë e dixhitalizuar.


(09.08.2009 RV)RealAudioMP3 Njeriu e rruga e tij ishin në qendër të vëmendjes në edicionin e dhjetë të Tonalestate, që përfundoi pardje, mbajtur si zakonisht në Qafen e Tonales, në provincën e Trentos, në Itali. Gjatë takimit veror të Tonales u organizuan një sërë bisedash e diskutimesh mbi aftësitë e njeriut, në 200-vjetorin e lindjes së Darvinit. Morën pjesë njerëz të kulturës e të Kishës. Ndërmjet tyre, kardinali Gjovani Batista Re, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë, jezuiti Mark Leklerk i Universitetit Gregorian si dhe shkrimtari e kritiku i njohur letrar, Julio Hubart. Tema e Tonalestate 2009 “Si amshohet njeriu?”, u mor nga kryevepra botërore e të gjitha kohëve, ‘Komedia Hyjnore’ e Dantes. E kjo është edhe pikënisja e reflektimit të kardinalit Re:
 
Përgjigje: - Dante, kur takon mësuesin e vet, Bruneto Latinin, profesorin e vet të madh, mjeshtrin e madh, që pëson mundimet e ferrit në rrethin e shtatë, ku janë flakur sodomitët të cilët, të ndarë në grupe, përvëlohen duke vrapuar nën një shi të amshuar zjarri, e lavdëron shumë për mësimet që kishte marrë prej tij e duke e lavdëruar, i thotë: ju më mësuat si amshohet njeriu, dmth sesi njeriu bëhet i amshuar. Ka shumë mundësi që Dante me këto fjalë donte të nënvizonte se kujtimi i njeriut të madh, fama e tij, mbetet e gjallë në shekuj. Njeriu është qenie e brishtë, qenie e vogël, por njëkohësisht është edhe tejet i madh. Është i madh, sepse ka mend, sepse mund të gëzojë lirinë, sepse është krijuar sipas shembëlltyrës e në ngjasim të Zotit. Njeriu ka shpresa e dëshira, që e lartojnë mbi vetveten, që synojnë lart, shumë lart; shpresa e dëshira që asnjë realitet tokësor nuk është në gjendje t’ia kënaqë, t’ia plotësojë, duke ia shuar etjen e zjarrtë për të hyrë në mshehtësitë e Krijimit. A nuk ishte pikërisht një etje e tillë që e shtyu Danten të zbriste me fantazi në thellësitë e misterit e, pastaj, duke kaluar nëpër Purgator, edhe të ngjitej në rrethet më të epra të qiellit, ku shndrit drita e pamabaruar e Zotit?
Po citoj edhe Paskalin, që thotë se ‘njeriu ia kalon vetvetes’ pikërisht për shkak të elementit të tij shpirtëror.

Pyetje: - Hirësi, më 4 gusht përkujtuam Shën Gjon Maria Vianejn. Na thoni diçka edhe për këtë Shenjt të madh, të cilit Papa i kushtoi Vitin Meshtarak, duke e kujtuar edhe në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar?

Përgjigje: - Një herë, ndërsa po arrinte në Ars duke ecur në këmbë, sepse vetëm kështu mund të shkohej në famullinë e vogël, takoi një djalë e iu lut t’i tregonte rrugën. Djali, pasi i tregoi edhe një shteg të shkurtër, që mund ta ndihmonte të arrinte më shpejt në Ars, i tha se ishte pikërisht nga Arsi. Atëherë famullitari i ardhshëm i fshatit francez ia drodh djaloshit: “Faleminderit, ti më tregove rrugën që të çon në Ars, e unë, që sot tutje do të jem famulltari yt, do të të tregoj udhën, që të çon në qiell. Në shëlbimin e amshuar.
Mjafton kjo frazë, për të dëshmuar tensionin shpirtëror të këtij meshtari shenjt, që e bëri Kishën shtëpinë e vet. Shkonte në Kishë në agim, para se të lindte dielli e kalonte aty gjithë ditën, duke u lutur e duke rrëfyer. Por ishte edhe aktiv, sepse themeloi edhe vepra shoqërore, siç ishte jetimorja e Arsit, duke u bërë edukator i vërtetë i jetimëve. Nxiti edhe shumë nisma në favor të misioneve e të familjeve të varfëra. Veprimtaria e tij pati edhe një përmasë shoqërore por, mbi të gjitha, qe veprimtari fetare, veprimtari ngushtësisht meshtarake.







All the contents on this site are copyrighted ©.