2009-08-09 12:48:23

Shën Tereza Benedikta e Kryqit, martire. "Forca e padukshme e lutjes”.


(09.08.2009 RV)RealAudioMP3 “Gjithçka është e njëjtë, për ata që kanë arritur unitetin e plotë të jetës hyjnore: pushimi e puna, kundrimi e veprimtaria, heshtja e fjala, dëgjimi e hapja e zemrës, marrja e dhuratës së Zotit e dhurimi i lumenjve të dashurisë në takim me hirin e Hyjit e në lavdet drejtuar Atij… Duhet të dëgjosh për orë e orë, në heshtje të thellë, ta lësh fjalën hyjnore të të mungullojë në shpirt, derisa të të nxisë ta lavdërosh Zotin në lutje e në punë.
Edhe format tradicionale janë të nevojshme. Prandaj të gjithë duhet të marrim pjesë në kultin publik të Kishës, që jeta jonë shpirtërore të zgjohet, të ecë në rrugë të drejtë e të shprehet ashtu si na mëson Kisha. Duhet të ketë shenjtërore mbi tokë për lavdërimin e Zotit, duhet që Hyji të kremtohet solemnisht me gjithë përsosurinë që mund të arrijë shpirti i njerëzve. Prej gojës së tyre, në emër të Kishës Shenjte, lavdi mund të ngjitet drejt qiellit, të veprojë në të gjitha gjymtyrët e saj, duke ua zgjuar të gjithëve jetën shpirtërore e duke i ushqyer me dashuri vëllazërore.
Gjithsesi, që kjo këngë lavdërimi ta marrë gjallërinë e vet nga thellësitë e shpirtit, duhet që edhe në këto vende lutjeje, të ketë kohë të caktuara për thellimin shpirtëror, në heshtje të plotë; përndryshe lavdërimi kthehet në bëlbëzim, që del nga buzë pa jetë. Falë këtyre vatrave të jetës shpirtërore, ky rrezik mund të shmanget; shpirtrat mund të meditojnë para Zotit në heshtje e në vetmi, për të qenë, në zemër të Kishës, këngëtarë të dashurisë, që e mbush gjithësinë me frymën e jetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.