2009-08-09 12:52:19

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “U vë kushte ipeshkvijve”.


(09.08.2009 RV)RealAudioMP3 Duke vijuar leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’, përmes ciklit të emisioneve ‘Me Nënë Terezën’, kushtuar së Lumes shqiptare, nuk mund të mos të meditojmë për vlerën e simboleve të fesë së krishterë: Kryqit e Rruzares. Ç’vlerë ka për besimtarin e krishterë e për njerëzit që e rrethojnë mbajtja e Kryqit në mënyrë të dukshme? Në qafë a mbi rrobe? E mbajtja e Rruzares? Në emisionin e tetë, që titullohet: ‘U vë kushte ipeshkvijve, e jo vetëm…”, e Lumja Terezë tregon:

“Kur na kërkojnë të hapim shtëpi në ndonjë vend, unë vë tre kushtet e mëposhtme:
“Motrat duhet të punojnë ndërmjet më të varfërve (e të varfër ka kudo, edhe në vende të pasura, si Gjermania, Britania e Madhe, Holanda, Italia, Franca, Belgjika… ).
Motrat duhet të kenë kohë të mjaftueshme për t’u lutur, vetëm e në bashkësi.
Duhet të kenë si drejtues shpirtëror një meshtar me virtyte të patundshme: me fe, shpresë e dashuri.
Kur, në vjeshtën e vitit 1973, na ftuan të hapim një shtëpi në Jemen, vend krejtësisht mysliman, u thashë se isha e gatshme t’u jepja motra, por me një kusht: të lejonin që bashkë me to, të hynte në vend edhe një meshtar.
U mblodhën për ta pleqëruar kërkesën time e vendosën ta linin edhe meshtarin.
Ishte hera e parë, pas tetëqind vjetësh, që një meshtar misionar – i cili i përkiste Kongregatës së Etërve të Bardhë – ndizte në trojet jemenite llambën e ndritshme të tabernakullit.
Na kërkuan të mos e mbanim kryqin mbi veshjen tonë. Shkova tek governatori i Hodeidës e i thashë:
“Kryqi, që mbajmë mbi sari, është shenja jonë dalluese, simbol i përkushtimit tonë. Ne i pëkasim Krishtit! S’mund të rrijmë pa të”.
Nuk u pëlqente as që motrat të thoshin Rruzaren rrugëve.
U shpjegova:
“Rruzarja na jep forcë, prandaj e themi”.
Vendosën:
“Rrini pra. Po ju pranojmë ashtu si jeni, e jo si dëshiron ndokush që të jeni”.Prandaj motrat vijojnë të punojnë në Jemen (ku kemi shtëpi jo vetëm në Hodeidë, por edhe në San’a e në Tais), duke e mbajtur Kryqin mbi sari e duke thënë Rruzaren në sa përshkohemi rrugëve, në kërkim të të varfërve, në shërbim të të varfërve, që nuk i përkasin Kryqit, por që e prekin për ditë me dorë, forcën e Kryqit!".







All the contents on this site are copyrighted ©.