2009-08-09 13:58:21

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: njeriu të mos e zëvendësojë Zotin!(Tekst i plotë)


(09.8.2009 RV)Të dashur vëllezër e motra! Si të dielën e kaluar, edhe sot - në kuadrin e Vitit Meshtarak që jemi duke kremtuar - do të ndalemi të meditojmë mbi disa Shenjtër e Shenjtëresha që liturgjia i përkujton këtyre ditëve. Përveç Kjarës së Asizit, virgjër, e cila e ndezur me dashurinë hyjnore në blatimin e përditshëm të lutjes e të jetës në bashkësi, të tjerët janë martirë, dy prej të cilëve janë vrarë në kampin e shfarosjes në Aushvic : Shën Tereza Benedikta e Kryqit - Edith Shtain, që, lindi në fenë hebraike dhe u pushtua nga Krishti në moshë të rritur, u bë murgeshë karmelitane dhe e vulosi ekzistencën e saj me martirizim; e Shën Maksimiljan Kolbe, bir i Polonisë dhe i Shën Françeskut të Asizit, apostull i madh i Zojës Mari të Papërlyer. Pastaj takojmë figura tjera të shkëlqyeshme martirësh të Kishës së Romës, si Shën Poncianin Papë, Shën Hipolitin meshtar dhe Shën Lorencin diakon. Sa shembuj të mrekullueshëm të shenjtërimit na propozon Kisha! Këta shenjtorë janë dëshmitarë të asaj dashurie që dashuron “deri në mbarim”, e nuk e llogarit të keqën që pëson, por e lufton me të mirën (krh 1Kor 13,4-8). Prej tyre mund të mësojmë, në mënyrë të posaçme ne meshtarët, heroizmin ungjillor që na shtyn, pa kurrfarë frike, të japim jetën për shpëtimin e shpirtrave. Dashuria fiton mbi vdekje!
Të gjithë shenjtërit, në mënyrë të veçantë martirët, janë dëshmitarë të Zotit, që është Dashuri: Deus caritas est. Kampet naziste të përqendrimit, si çdo kamp shfarosjeje, mund të konsiderohen me simbole të skajshme(ekstreme) të së keqes, të ferrit që hapet mbi tokë atëherë kur njeriu e harron Zotin dhe Atë e zëvendëson, duke e uzurpuar të drejtën e vendosjes se çka është e mirë dhe çka është e keqe, për të dhënë jetën e caktuar vdekjen. Por mjerisht ky fenomen trishtimi e mjerimi nuk është i përkufizuar vetëm në kampe të përqendrimit. Ato janë mjerisht pikat kulmore të një realiteti të gjerë e të përhapur, shpesh me përmasa të pakapshme. Shenjtorët, që i përkujtuam shkurtimisht, na bëjnë të reflektojmë mbi divergjencat e thella që ekzistojnë ndërmjet humanizmit ateist dhe humanizmit të krishterë; një antitezë që përshkon të tërë historinë, por që në fund të mijëvjeçarit të dytë, me nihilizmin bashkëkohor, ka arritur në një pik vendimtare e kyçe, siç e kanë perceptuat shkrimtarët e mëdhenj e mendimtarët, e ashtu siç e kanë dëshmuar gjerësisht ngjarjet. Nga njëra anë, kemi filozofitë e ideologjitë, por gjithnjë e më tepër edhe mënyra të të menduarit e të vepruarit, që e lartësojnë lirinë si të vetmin parim të njeriut, në alternativë me Zotin, e në këtë mënyrë e shndërrojnë njeriun në një zot, që arbitrazhin e bënë sistem personal të sjelljeve e veprimeve. Nga ana tjetër, kemi pikërisht shenjtorët, që, duke zbatuar Ungjillin e dashurisë, i japin të drejtë shpresës së tyre; ata e tregojnë fytyrën e vërtetë të Zotit, që është Dashuri, e , në të njëjtën kohë, fytyrën e vërtetë të njeriut, të krijuar në shëmbëlltyrën e përngjasimin hyjnor.
Të dashur vëllezër e motra, t’i lutemi Virgjërës Mari, që të na ndihmojë të gjithëve - në rend të parë ne meshtarëve - që të jemi të shenjtë si këta dëshmitarë heroik të fesë e ta përkushtojmë veten deri në martirizim. Kjo është e vetmja mënyrë për t’i ofruar aspiratave njerëzore e shpirtërore, që nxit kriza e thellë në botën bashkëkohore, një përgjigje të besueshme e plotë: atë të dashurisë në të vërtetën.
Fjalët e Benedikti XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot.







All the contents on this site are copyrighted ©.