2009-08-07 18:49:27

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Të dhurosh e të dhurohesh”.


(07.08.2009 RV)RealAudioMP3 Vijojmë shfletimin e librit ‘Jeta ime’, përmes ciklit të emisioneve ‘Me Nënë Terezën’, kushtuar së Lumes shqiptare. Emisioni ynë i gjashtë, titulluar ‘Të dhurosh e të dhurohesh’ na kujton urdhërimin e Jezu Krishtit, mbi bazën e të cilit u lidh besa e re ndërmjet Hyjit e njeriut: “Duajeni njëri-tjetrin!”.
E Lumja na tregon si mund ta vëmë konkretisht në jetë këtë urdhërim të ri të dashurisë, që nuk na kërkon vetëm “të dhurojmë, por edhe të dhurohemi”:

“Besoj se nuk dhuroni vetëm gjërat që ju kanë tepruar. Që nuk ju hyjnë më në punë. E që do të flaknit, po të mos kishit kujt t’ia jepnit!
Duhet të jepni atë që ju pëlqen, jo atë që nuk ju duhet më; duhet të bëni një flijim, të hiqni dorë nga ajo që ju josh, në mënyrë që dhurata juaj të ketë vlerë para syve të Zotit.
Në këtë rast do të jeni me të vërtetë vëllezër të të varfërve, të atyre që u mungojnë deri gjërat, pa të cilat njerëzit e zakonshëm mendojnë se nuk mund të rrohet. Për të cilat kanë vërtetë nevojë.

 
Unë dëshiroj që dhuratat të mos jenë tepricat e dhuruesit.
Madje mendoj se duhen bërë me kënaqësi, nga ana e atyre që nuk kanë frikë të duan, duke u flijuar.
Dashuria e flijimi shkojnë krah për krah: nuk mund të kuptohen njëra pa tjetrin.
Prandaj kur është fjala për të dhuruar, nuk duhet të kufizohemi vetëm tek paratë ose tek sendet e tjera materiale.
Dëshiroj që një numër i madh njerëzish – sa më i madh që të jetë e mundur – të dhurojnë duart e tyre për të shërbyer; zemrat e tyre, për të dashur, duke i pranuar të varfërit në shtëpi, në qytet, në fshat, duke u afruar me ta plot dashuri e bujari.
Në Bombei, në një lokal, të rrethuar me oborr, që na e dhuroi Hindustan Lever Company (Hindustan Levë Kompani) kemi një shtëpi ku strehojmë njerëz të mbledhur nga rrugët, në prag të vdekjes. Quhet Asha Dan (Dhurata e shpresës).
Kur e përuruam, në janar të vitit 1976, u pata thënë të ftuarve, të mbledhur me këtë rast:
“Asha Dan është dhuratë shprese e dashurie, e jo vetëm për të varfërit e nevojtarët, por edhe për ju e për mua. Paratë e pasuritë, që na dhuroni, ne i mirëpresim, por unë dua diçka më shumë nga të gjithë. Të vini nganjëherë në këtë shëpi për të dhuruar pak nga vetvetja, në mënyrë që banorët e kësaj strehe, ta ndjenë se nuk janë fare të braktisur, se dikush interesohet për ta, se dikush i do, edhe në çastin kur bëhen gati të kapërcejnë pragun, që ndan jetën nga vdekja, pragun e përjetësisë.
Dhurojuni një buzëqeshje, një prekje të ngrohtë, një shikim plot dashuri, që ta ndjejnë se janë vëllezërit e motrat tuaja. Gandi ka thënë: “Kush i shërben të varfërit, i shërben vetë Zotit.”.

 
Shoqata ndërkombëtare e bashkëpunëtorëve u krijon të gjithëve, duke nisur nga shekullarët, mundësinë për të ecur në gjurmët e Krishtit përmes veprave të përvujta. E u kujton se në radhë të parë duhet t’u shërbejnë me dashuri pjesëtarëve të familjes së tyre, por edhe fqinjve, njeriut që banon në portën pranë, në qytetin ku banon edhe ti, në botën, e cila është përplot me të tjerë, si ti, që kanë nevojë për pakëz dashuri!Bashkëpunëtorët duhet të punojnë me frymën e Kongregatës sonë, me shpirtin e Misionareve e të Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë.
Në këtë mënyrë edhe ata do të bëhen kasnecë të dashurisë e të mirësisë së Zotit.
Jam e bindur se Zoti e shikon botën e sotme me sytë tanë, punon për të me duart tona, e dashuron me zemrat tona, me zemrat e të gjithë atyre, që e dinë se të duash të afërmin, e sidomos nevojtarin, do të thotë të duash vetë Zotin!".







All the contents on this site are copyrighted ©.