Papa në Mesazhin për mbledhjen e lëmoshëve në Argjentinë: Të kufizohet shkandulli
i varfërisë dhe i pabarazisë shoqërore.
(07.08.2009 RV)Benedikti XVI i
fton të gjithë argjentinasit të marrin pjesë në edicionin e 40-të të mbledhjes së
lëmoshëve “Más Menos”, që sivjet do të organizohet në vendin latinoamerikan më 13
shtatorin e ardhshëm, me temë: “ Më shumë solidaritet, që të ketë sa më pak të përjashtuar”. Papa,
pra, e inkurajon këtë vepër solidariteti dhe uron të japë ndihmesën për kufizimin
e shkandullit të varfërisë e të pabarazisë shoqërore, duke përmbushur kështu kërkesat
ungjillore, që i nxisin të gjithë besimtarët të përpiqen për të ndërtuar një shoqëri
sa më të drejtë e më solidare. Në mesazhin, që u bë i njohur nga nunci apostolik
në Argjentinë, imzot Adriano Bernardini, Papa u shpreh mirënjohjen e tij të thellë
të gjithë atyre, që do të japin ndihmesën për realizimin me sukses të fushatës së
re, të cilën e vë nën mbrojtjen e Zojës së Lujanit, Pajtore e Argjentinës. E pikërisht
sot në Buenos Ajres u kremtua festa e Pajtorit, Shën Gajtanit të Tienës, në ditën
e përkujtimit të tij liturgjik. Mijëra besimtarët, nga mbarë vendi, që morën pjesë
në festë, iu lutën Shenjtit themelues të teatinëve, të ndërmjetësojë pranë Zotit,
që t’u japë ‘drejtësi, bukë e punë’ e t’i ndihmojë të ndërtojnë ‘Atdheun e vëllezërve”. Sivjet,
me porosi të Kishës vendase, besimtarët nuk sollën qirinj e lule, por veshje, ushqime
e ilaçe për më të varfërit, duke kujtuar kështu konkretisht mësimet e Shën Gajtanit
i cili, më se 500 vjet më parë, shkriu gjithë jetën në ndihmë të të varfërve, të jetimëve
e të të sëmurëve të pashërueshëm. Nderohet, prandaj, si shenjti i Provanisë hyjnore.
E Papa Benedikti XVI, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar,
duke folur për festën e Gajtanit nga Tienë, që u kremtua sot, kujtoi frazën e famshme
të Shenjtit: “Shpirtrat nuk pastrohen me dashuri sentimentale, por me dashurinë
e fakteve”.