2009-08-07 19:02:48

Ngjarje e rëndë kriminale: një i kërkuar në Durrës vret katër policë e një civil. Dita e nesërme shpallet ditë zie.


(07.8.2009 RV)Një ngjarje e rëndë kriminale e ka tronditur sot qytetin bregdetar të Durrësit. Mediat e Shqipërisë bëjnë të ditur se personi më i kërkuar nga policia e vendit, Dritan Dajti, i ka vrarë katër policë dhe një qytetar, gjatë rrethimit nga forcat e policisë, në afërsi të plazhit "Iliria". Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:45 minuta, gjatë nje aksioni të policisë për arrestimin e tij. Burimet konfirmuan se gjatë thirrjes së policisë që të dorëzohet, Dajti ka qëlluar me armë pjesëtarët e skuadrës së policisë. Nga këto të shtëna janë vrarë katër policë e një qytetar dhe janë plagosur disa të tjerë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur rëndë edhe personi që e shoqëronte Dajtin, i cili cilësohet si njëri ndër miqtë më të ngushtë të tij. Dritan Dajti është dorëzuar pasi e ka parë të pamundur largimin nga vendi i krimit dhe arratisjen. Nbi të rëndojnë një mori akuzash për vrasje dhe rrëmbime. Disa vjet më parë, ai ishte arratisur nga Gjykata e Tiranës.
Policia e Durrësit bëri të ditur emrat e 4 punonjësve të policisë, që u vranë në krye të detyrës, të premten pas mesdite në Durrës, gjatë aksionit për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti, i cili hapi zjarr ndaj tyre.
Fatos Xhani 38 vjeç, ish shefi i antidrogës në Durrës dhe aktualisht shef i Departamentit të Operacioneve Speciale në Policinë e Shtetit, Altin Dizdari, 33 vjeç, Sajmir Duçkollari, 32 vjeç dhe Kastriot Feska, 40 vjeç, janë punonjësit e policisë që ranë në krye të detyrës rreth orës 13:45 të ditës së sotme, në përpjekje për të arrestuar 39 vjeçarin Dajti, në zonën e plazhit Iliria në qytetin e Durrësit.
KRYEMINISTRI SALI BERISHA DEKLAROI SOT NË MBRËMJE, NË NJË KONFERENCË PËR SHTYP, SE DITA E NESËRME SHPALLET DITË ZIE, NË NDERIM TË 4 POLICËVE QË RANË SOT NË KRYE TË DETYRËS NË DURRËS, NË PËRPJEKJE PËR TË ARRESTUAR TË SHUMËKËRKUARIN, DRITAN DAJTI.







All the contents on this site are copyrighted ©.