Martirë të rinj. Papa: dëshmojnë se dashuria e Krishtit është më e fuqishme se urrejtja.
(07.08.2009 RV)Sot Kisha kujtoi
Sikstin II, papë, e shokët e tij, martirë. Ky përkujtim liturgjik na nxit të meditojmë
se edhe në Mijëvjeçarin e tretë, shumë të krishterë vijojnë të persekutohen e të diskriminohen. Sikstit,
vetëm një muaj pas zgjedhjes në fronin e papnisë, iu pre koka së bashku me gjashtë
diakonët e Varrezës së Shën Kalistit: ishte viti i largët 258. Një edikt i perandorit
Valeriani i ndalonte të gjithë nënshtetasit të flisnin në emër të Krishtit. Po Papës
Siksti i pëlqeu më shumë t’i bindej Zotit, sesa njerëzve. Kështu e pagoi me jetë dashurinë
e tij për Jezusin. Kanë kaluar dymijë vjet pas mishërimit të Zotit, ngjarje që
ia ndryshoi rrjedhën historisë. Bota ka ecur përpara por, megjithatë, të krishterët
mbeten bashkësia më e persektuar në gjirin e njerëzimit. Benedikti XVI flet për misionarë,
ipeshkvinj, meshtarë, rregulltarë, rregulltare e laikë të persektuar, të burgosur,
të torturuar, pa liri e pa të drejta, të mbytur në sa kryejnë misionin e tyre në shërbim
të ungjillëzimit e të përparimit njerëzor, vetëm pse janë dishepuj të Krishtit e apostuj
të Ungjillit. Na fton, prandaj, të lutemi që të krishterëve të persekutuar – rreth
200 milionë – t’u njihen të drejtat njerëzore, barazia e liria fetare. Njëkohësisht
i shikon martirët e kohëve tona në dritën e shpresës: Misionarët martirë – pohon
Papa: "Janë shpresë për botën’ ; dëshmojnë se dashuria e Krishtit
është më e fortë se dhuna e se urrejtja. Nuk e kërkuan martirizimin, por qenë gati
të japin jetën për t’i qëndruar besnikë Ungjillit. Martirizimi i krishterë përligjet
vetëm si akti më i lartë i dashurisë për Zotin e për vëllezërit" (Lutja
e Engjëllit të Tënzot e 25 marist 2007). Dashuria për armikun – pohon Benedikti
XVI – përbën thelbin e revolucionit të krishterë.