2009-08-07 19:54:40

Iran:akoma manifestime në Teheran, ndeshje mes policisë e kundërshtarëve


(07.8.2009 RV)Derisa presidenti Ahmedinexhad përgatit qeverinë e re, organizohen protesta të reja në Teheran. Përkundra ndalimit të imponuar nga policia. Me qindra qytetarë që mbështesin opozitën e Hossein Mussavit kanë dalur në sheshin e Teheranit duke manifestuar kundër presidentit të zgjedhur Ahmadinexhad. Sipas disa dëshmitarëve, manifestuesit janë mbledhur në sheshin Vanak e janë rrethuar nga policia speciale e më pas ka pasur ndeshje ndërmjet manifestuesve e forcave të rendit. Mbështetësit e Mussavit kanë sulmuar një kazermë të policisë pro qeveritare basiji të cilët janë përgjigjur duke shtënë me armë zjarri. Rrahje të demonstruesve nga policia janë regjistruar edhe në zona tjera të Teheranit.
Në nesërmen pas betimit, Ahmedinexhad ka dy javë kohë për të paraqitur listën e qeverisë së re. Në anën tjetër, Parlamenti do të ketë një javë për të shqyrtuar kandidatët para se të miraton emërimin e tyre.
Vështirë që presidenti i zgjedhur por jo i votuar, Ahmedinexhad do të mbërrijë të përfundojë mandatin e tij katër vjeçar në udhëheqjen e Republikës Islamike. Kështu mendon Ali Ansari i cili parashikon një jostabilitet pas zgjedhjes së diskutueshme e të kontestueshme të Amedinexhadit.
Bashkimi Eropian u bëri thirrje autoriteteve në Iran që të pezullojnë dënimet me vdekje në këtë vend. Thirrja u drejtua pas zbatimit të paradokohshëm të dënimeve me vdekje. Në të shprehet brengosje "për shkak të zbatimit të dënimeve me vdekje në Iran, duke përfshirë edhe ekzekutimet kolektive të muajit të kaluar". Gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, në Iran janë ekzekutuar 219 persona të dënuar me vdekje. Sipas ligjeve iraniane, dënimi me vdekje shqiptohet për vrasje, për përdhunim, për plaçkitje të armatosur, për kontrabandë me drogë dhe për tradhëti. Irani është vendi i dytë në botë përnga numri i dënimeve me vdekje. Në vendin e parë është Kina.







All the contents on this site are copyrighted ©.