2009-08-06 18:23:17

Pali VI, bari i butë e i vendosur në dashurinë për të vërtetën: Benediktit XVI kujton Papën Montini, në 31-vjetorin e vdekjes.


(06.08.2009 RV)RealAudioMP3 Tridhjetë e një vjet më parë vdiste Papa Montini: ishte mbrëmja e 6 gushtit 1978, Festa e Shndërrimit të Zotit. Me këtë rast sot pasdite, në orën 17, në Elterin e Katedrës të Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, u kremtua një liturgji solemne, kryesuar nga kardinali Anxhelo Komastri, vikar i përgjithshëm i Papës për Qytet-Shtetin e Vatikanit.
Dëshmitar i përvujtë i Ungjillit, Pali VI e çoi deri në fund Koncilin II të Vatikanit dhe e udhëhoqi Kishën me urti e largpamje, duke marrë, i dashuruar siç ishte me të vërtetën, vendime që ia zbehën popullaritetin.
Benedikti XVI, duke folur disa herë për paraardhësin e tij të dashur, e ka përshkruar kështu:
“Një bari i butë e i vendosur, që drejtoi barkën e Pjetrit në vite të stuhishme, duke i mbajtur sytë të mbërthyer fort mbi Jezusin”.
Për Benediktin XVI Pali VI është Papë e i paharrueshëm, me të cilin – pohon – e lidh një dashuri e thellë. Ishte pikërisht Pali VI ai që e emëroi kryeipeshkëv të Bavarisë dhe e krijoi kardinal.
Por, cila ishte fshehta e veprimtarisë baritore të Palit VI, që përshkoi gjithë papninë e tij? “Dashuria e Krishtit – përgjigjet Benedikti XVI gjatë audiencës me Institutin Pali VI, më 3 mars 2007:
“Në të vërtetë, e fshehta e veprimtarisë baritore që zhvilloi Pali VI, me përkushtim të palodhshëm, duke marrë nganjëherë vendime të vështira, që nuk gëzuan popullaritet, qëndron pikërisht tek dashuria për Krishtin: dashuri që përshkon, me tone prekëse, gjithë mësimin e tij. Shpirti i tij prej bariu ishte i pushtuar i tëri nga tensioni misionar, i ushqyer nga një dëshirë e sinqertë për të dialoguar me njerëzimin. Ftesa e tij profetike, e propozuar disa herë, për ta përtërirë botën e trazuar nga shqetësimet e dhuna përmes ndërtimit të qytetërimit të dashurisë, lindte nga lëshimi i tij i plotë në dorë të Jezusit, Shëlbuesit të njeriut”.
Njeri i paqes, i impenjuar me guxim në dialogun ekumenik, Pali VI hapi udhën e shtegtimeve apostolike ndërkombëtare. Por mbi të gjitha, mbeti në kujtesën e njerëzimit si Papa, që çoi deri në fund Koncilin II të Vatikanit e që i priu Kishës në vitet e vështira të pas Koncilit. Meritë ‘gati mbinjerëzore’ kjo, pohon Benedikti XVI, që vlerësohet gjithnjë më shumë, në sa shikimi ynë mbi të kaluarën zgjërohet e bëhet përherë më i vetëdijshëm:
“Në se Gjoni XXIII e shpalli dhe e hapi, i takoi atij, pasardhësit, ta çojë deri në fund me dorë të mësuar, delikate e të vendour. E nuk qe aspak më e lehtë për Papën Montini ta drejtonte Kishën në periudhën pas-koncilare. Nuk ia lejoi vetes të prekej nga keqkuptimet e kritikat, edhe pse iu desh të duronte vuajtje e sulme, nganjëherë tejet të fuqishme, por në çdo rrethanë mbeti timonier i vendosur e i urtë i barkës së Pjetrit”.
Nga magjisteri i Palit VI kujtojmë disa gurë kilometrikë, si Enciklika Humanae Vitae e Populorum Progressio. E para pohon se liria duhet të shkojë krah për krah me të vërtetën, kur është fjala për të mbrojtur dhuratën e paçmueshme të jetës njerëzore. Në 40 –vjetorin e botimit të këtij dokumenti, më 2008, Benedikti XVI kujtoi rrethanat e vështira, në të cilat Papa Montini vendosi t’i kushtonte një enciklikë përgjegjësisë në dashurinë bashkëshortore:
“Ky dokument u bë shumë shpejt shenjë kundërshtie. I hartuar në dritën e një vendimi të marrë jo pa vështirësi, Enciklika mbetet gjest domethënës guximi, në përpjekjen për të ripohuar vazhdimësinë e doktrinës e të traditës së Kishës. Ky tekst, shpesh herë i keqkuptuar e i vënë në dyshim, shkaktoi diskutime të shumta, edhe pse qe në zanafillën e një kundërshtimi të thellë, që shënoi jetën e breznive të tëra” (10 maj 2008).
Profetike edhe enciklika ‘Populorum Progressio’ e 1967-tës, përmes së cilës Pali VI nënvizon se emri i ri i paqes, është zhvillim. Por zhvillimi, pa Zotin, vëren Papa Montini, është zhvillim të cilit i mungon edhe dashuria për njeriun:
“Në këtë tekst, të cituar shumë herë në dokumentet e mëpasme, ky Papë i madh thekson me forcë se zhvillimi nuk kufizohet thjeshtë në rritjen ekonomike. Për të qenë zhvillim i vërtetë, duhet të jetë i gjithanshëm, gjë që do të thotë zhvillim i të gjithë njerëzve e i gjithë njeriut”.







All the contents on this site are copyrighted ©.