Më 6 gusht, 31 vjet më parë, vdiq Papa Pali VI, dëshmitar i guximshëm i së Vërtetës
(06.8.2009 RV)Më 6 gusht, 31 vjet më parë, vdiq Papa Pali VI, dëshmitar i guximshëm
i së Vërtetës, në dialog me njeriun dhe me kulturën e kohës sonë. Ishte mbrëmja
e 6 gushtit 1978, festa e Shndërrimit të Jezusit, kur u kthye në shtëpinë e Atit qiellor
Papa Pali VI: dëshmitar i përvujtë e guximtar i së Vërtetës, apostull i paqes, njeri
i dialogut ndërmjet popujve e kulturave, që diti ta çojë deri në fund Koncilin II
të Vatikanit me urti e largpamje. Tridhjetë e një vjet pas vdekjes së Papës Montini,
po kujtojmë ngjarjet më të rëndësishme të papnisë së Tij: “Fidem servavi”, e
ruajta fenë: në këtë pohim, bërë pak ditë para vdekjes, përmblidhet gjithë papnia
e Palit VI. Një papë i butë e i vendosur, i dashuruar me të Vërtetën, që e drejtoi
barkën e Pjetrit në vite të stuhishme për Kishën e për Botën. I zgjedhur në
fronin e papnisë më 21 qershor 1963, Papa Montini pati menjëherë përpara një sfidë
epokale: të përfundonte me sukses Koncilin II të Vatikanit, lindur nga intuita profetike
e Gjonit XXIII por që, pas entuziazmit fillestar, rrezikonte të ngecte në rërë. Në
Meshën e fillimit të papnisë, më 30 qershor 1963, Pali VI nuk i fshehu shqetësimet
dhe u paraqiti besimtarëve vizionin e tij për Kishën: “Do ta mbrojmë Kishën
Shenjte nga gabimet e doktrinës e të dokeve të cilat, brenda e jashtë kufijve të saj,
ia kërcënojnë integritetin e ia vrugnojnë bukurinë; ne do të përpiqemi t’i ruajmë
e t’i zhvillojmë virtytet baritore të Kishës, që ajo i paraqet, e lirë dhe e varfër,
në sjelljen e saj si nënë e mësuese”. Tre muaj më pas, më 29 shtator, Papa
Montini hap solemnisht sesionin e dytë të Koncilit. Në fjalimin e hapjes, numëron
katër qëllime të kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme: shtjellimin doktrinor të natyrës
së Kishës; përtëritjen e saj të brendshme; forcimin e bashkimit të të krishterëve
dhe dialogun e Kishës me botën bashkëkohore. Pali VI, i cili si kryeipeshkëv
i Milanos mori pjesë në sesionin e parë konciliar, nuk do të jetë thjeshtë ‘noteri’
i Koncilit. Ndjek me kujdes e pasion punimet, ndërhyn me urti në rrethanat më delikate.
E, më 7 dhjetor të vitit 1965, mbyll takimin ekumenik me ndjesi gëzimi e emocioni
të thellë: “Concilium hoc nostrum posteris eiusmodi Ecclesiae imaginem tradet…
Ky Koncil i dorëzon historisë figurën e Kishës katolike, e cila paraqitet në këtë
sallë plot me barinj, që praktikojnë të njëjtën fe, përhapin të njëjtën dashuri, kanë
të njëjtin bashkim në lutje, të njëjtën disiplinë, të njëjtën veprimtari – e ç’është
më e mrekullueshmja – të gjithë dëshirojnë një gjë të vetme, të flijojnë vetveten,
si Krishti, Mësuesi ynë e Zoti ynë, për jetën e Kishës e për shëlbimin e botës”.
Gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të papnisë së Tij, Papa Montini u impenjua me të gjitha
forcat për paqen në botë, duke gjallëruar edhe përmasën misionare të Kishës, nënvizuar
në Nxitjen Apostolike “Evangelii nuntiandi’. Themeloi Ditën e Paqes, që kremtohet
çdo vit më 1 janar. U bë apostull i paqes deri në skajet më të largëta të tokës me
nëntë shtegtimet e tij apostolike ndërkombëtare, në të pesë kontinentet. Mbeti i gjallë
në kujtesën historike të njerëzimit fjalimi që Papa Pali VI mbajti në Asamblenë e
Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, më 4 tetor të vitit 1965. Jehon edhe sot fuqimisht,
në hapësirë e kohë, britma e tij kundër luftës: “Jamais plus la guerre, jamais
plus la guerre! C'est la paix, la paix…” Kurrë më luftë, kurrë më luftë! Paqja, paqja
duhet t’i udhëheqë fatet e popujve e të mbarë njerëzimit!”. Papa Pali VI nuk qëndroi
indiferent përballë vuajtjeve të kombeve afrikane, të shtypura nën barrën e rëndë
të mjerimit. Në vitin 1967 u botua Enciklika ‘Populorum Progressio’. “Zhvillimi “
– shkruan Papa – është emri i ri i paqes”. Por - vijon të shpjegojë - duhet të jetë
një zhvillimi i plotë, për çdo njeri e për të gjithë njerëzit. Me Koncilin,
Kisha përtërihet, rinohet në thellësi. Megjithatë disa përpiqen t’i japin një shpjegim
herë progresist e herë konservator, që nuk përkon me domethënien e vërtetë të ngjarjes
së madhe. Trazirat paskonciliare i shkaktojnë Palit VI vuajtje të thella, por nuk
e bëjnë të heqë dorë nga dëshmimi i së Vërtetës sepse, si Shën Agostini, ishte i bindur
se lumturia s’është tjetër, veçse gëzimi që buron nga e vërteta ‘gaudium de veritate’.
Rasti më i bujshëm në këtë kuptim, është ai i botimit të ‘Humanć Vitć’, më 1968.
Enciklika, e përqendruar tek dashuria e përgjegjshme bashkëshortore, ripohon
qëndrimin negativ të Kishës lidhur me përdorimin e sistemeve artificiale të ndalimit
të shtatzanisë. Në vitin simbol të kundërvënieve, Pali VI bëhet, edhe në botën katolike,
objekt kritikash të rrepta, të cilat nganjëherë përfundojnë edhe në fyerje. Papa Montini
mendoi gjatë, para se ta zgjidhte këtë rrugë, me vetëdijen se nuk do të ishte aspak
e lehtë. Më 4 gusht të vitit 1968, në Engjëllin e Tënzot, Papa i shpjegon arsyet e
kësaj zgjedhjeje me koherencë të plotë: “Fjala jonë nuk është e lehtë, nuk
përkon me zakonin që sot, për fat të keq, vijon të përhapet si i dobishëm e, në dukje,
i favorshëm për dashurinë e për harmoninë familjare. Nuk duam të kujtojmë përsëri
se norma e ripohuar nga Ne, nuk është Jona, por e vetë mënyrës së ndërtimit të jetës,
të dashurisë e të dinjitetit njerëzor”. Pararendës i ‘qytetërimit të dashurisë’,
Pali VI vë krah për krah me përpjekjet e tij për paqe, impenjmin e pëhershëm e të
frytshëm ekumenik, me bindjen se vetëm të bashkuar, të krishterët mund të japin kontributin
e tyre të rëndësishëm për pajtimin e popujve. Historik takimi i tij në Jeruzalem me
Patrikun e Kostandinopojës, Atenagora, në vitin 1964. Përqafimi i tyre vëllazëror
i preku thellë si katolikët, ashtu edhe ortodoksët. Një vit më pas arrihet në zhvleftësimin
e shkishërimit reciprok të të dyja Kishave, në fuqi që nga viti 1054. Hapa
përpara bëhen edhe në dialogun me anglikanët. Në vitin 1966, Pali VI takohet me kryeipeshkvin
e Kantëburit, Majkëll Ramsei. Tri vjet më pas është në Gjenevë, për të vizituar Këshillin
ekumenik të kishave. Natyrë tepër e ndjeshme, në vitin 1978 Pali VI jeton një çast
dramatik, pikërisht kur jeta e tij po i afrohej perëndimit: rrëmbehet miku i tij,
Aldo Moro. Të shumta e plot ankth thirrjet që u drejton ‘njerëzve të Brigadave të
Kuqe’, duke nisur nga lutja e Engjëllit të Tënzot e 19 marsit, tri ditë pas rrëmbimit
gjaktar në Rrugën Fani. Njeri me kulturë të gjërë, dashuronjës i arteve e i
letërsisë, Pali VI rizbuloi vlerën e mecenatizmit, të Kishës që mbron artistët e porosit
vepra arti. Skorceli, Manzů e Nervi janë disa nga artistë më në zë, që punuan për
Selinë e Shenjtë gjatë papnisë së Tij. Fuqizoi Radio Vatikanin dhe Akademinë Papnore
të Shkencave, i nxiti njerëzit e kulturës t’i shërbejnë së vërtetës, të promovojnë
dinjitetin e njeriut, të krijuar sipas shembëlltyrës së Hyjit. Ndërmjet fryteve të
shumta të shërbimit të tij papnor, duhet kujtuar edhe reformimi i Kuries e i liturgjisë
si dhe kremtimi i Vitit jubilar 1975. Më 29 qershor 1978, më pak se një muaj para
vdekjes, Pali VI, ashtu si Shën Pali, mund të pohonte se e kishte luftuar me fund
betejën e mirë të Ungjillit: “Detyra jonë është ajo e vetë Pjetrit, të cilit
Krishti i besoi mandatin t’i përforconte vëllezërit (Cfr. Lk. 22,32): është detyra
për t’i shërbyer së vërtetës së fesë (…). Ja, pra, Vëllezër e Bij, ky është qëllimi
që na nxiti të përpiqemi pa u lodhur kurrë, me ngulm e vigjilencë, gjatë këtyre pesëmbëdhjetë
vjetëve të papnisë. “Fidem servavi’! mund të themi sot, me vetëdijen e përvujtë e
të patundur, se nuk e tradhtuam kurrë të vërtetën shenjte”.