2009-08-06 11:33:57

Kisha kremton me 6 gusht festën e Shndërrimit të Krishtit mbi malin Tabor.


(06.08.2009 RV)Transfigurimi apo Shndërrimi i Krishtit është ndër fetat teologjikisht më të pasura, dëfton fytyrën e Jezu Krishtit Zot, Birit të dashur të Atit dhe cakun drejt të cilin dishepujt dhe ne të gjithë njerëzit jemi të thirrur të shkojmë, duke zbuluar e pranuar të vërtetën e Krishtit e të mbarë njerëzimit, siç tregon Shën Marku: “Gjashtë ditë pas, Jezusi i mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre” (Mk 9,2). Në këtë dritë, mund ta kremtojmë Shndërrimin si festë në të cilën Kisha e shpall vizionin e vet të njerëzimit integral. Të kundrosh bukurinë e Krishtit të shndërruar do të thotë që dishepulli e çdo besimtar të dëshirojnë që e tërë bota të mbështjellët nga drita shndërruese e të jetojë sipas kësaj dëshire e synimi të shenjtë.
Pra, Liturgjia e sotme na fton ta ndjekim Krishtin mbi Tabor, mbi malin e heshtjes e të kundrimit, përvojë të cilën Kisha ua këshillon të gjithë besimtarëve, në forma të ndryshme, që u përshtaten thirrjeve e kushteve të posaçme të jetesës, në mënyrë që bashkësitë e krishtera të bëhen shkolla të vërteta lutjeje, ku të na ngadhënjejë në shpirt misteri i dritës dhe i dashurisë së Hyjit.
Duke kundruar Taborin, kuptojmë më mirë se rruga e kryqit dhe ajo e lavdisë janë të pandara: duke pranuar deri në fund të fundit planin e Atit, në të cilin qe shkruar se Jezusit do t' i duhej të vuante për të hyrë në lavdinë e tij, Krishti provon që në këtë jetë dritën e ringjalljes.
Edhe ne, duke mbartur çdo ditë me fe plot dashuri Kryqin, provojmë, njëherësh me peshën e rëndë, edhe forcën e risimit e të ngushëllimit. Me Jezusin e marrim atë dritë të brendshme, posaçërisht ndërsa lutemi. Kur zemra është pushtuar nga Krishti, jeta ndryshon. Rrugët më fisnike e, posaçërisht, ato më ngulmueset, janë fryt i bashkimit të thellë e të vazhdueshëm me Hyjin në heshtjen e uratës.
Kujtojmë se shndërrimi i Jezusit mbi malin Tabor është i katërti në misteret e dritës, shtuar mistereve tradicionale të Rruzares shenjte nga Papa Gjon Pali II në vitin kushtuar pikërisht Rruzares. Misteret e dritës janë: Pagëzimi i Jezusit në Jordan, kur Ati nga qielli thotë: "Ja, biri im, të cilin e kam për zemër", e ky është zbulimi i misionit të Birit të Hyjit; pastaj mrekullia e Jezusit në Dasmën e Kanës, shenjë e shndërrimit dhe e shenjtërimit të të gjithë realitetit të krijuar e sidomos e njeriut të shndërruar nga Biri i Hyjit; misteri i tretë është kumtimi i Mbretërisë së Hyjit me shëmbëlltyra e shenja shëlbuese. I katërti - shndërrimi i Jezusit mbi Malin Tabor dhe së fundi, i pesti, themelimi i Eukaristisë, si dhanti Pashkësh e si Sakrament që përmbledh në vetvete të gjitha sakramentet e shëlbimit, të cilat Krishti ia dhuroi Kishës për shpëtimin e njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.