2009-08-06 18:22:21

Festa e Shndërrimit të Krishtit. Papa: bukuria e vërtetë është dashuria e Zotit që ndriçon edhe errësirën e misterit të vdekjes


(06.08.2009 RV)RealAudioMP3 Kisha kremtoi sot Festën e Shndërrimit të Zotit. Një ngjarje e madhe – ka shpjeguar disa herë Benedikti XVI – që na fton ta ndjekim Jezusin në udhën e Kryqit, duke i hapur sytë e zemrës për të parë misterin e dritës së Zotit, i cili fiton mbi pushtetin e errët të së keqes.

 
Ashtu si Pjetri, dëshirojmë t’i lutemi Zotit të jetojmë mbi Malin Tabor: kur ke hirin të provosh përvojën e fuqishme të pranisë së Hyjit – nënvizon Benedikti XVI – është njëlloj si të jetosh diçka të ngjashme me atë, që u ndodhi dishepujve gjatë Shndërrimit të Jezusit: për një çast parashijohet diçka, që i përngjet lumnisë së Parajsës:
“Është fjala për çaste të shkurtëra përvoje, të cilat na i dhuron nganjëherë Zoti, posaçërisht gjatë provave të vështira. Por askujt, deri më sot, nuk iu dha hiri të jetojë mbi Tabor, ndërsa është ende mbi këtë tokë. Jeta njerëzore është udhë feje e, si e tillë, kalon më shumë në gjysëmhije, sesa në dritë të plotë, madje nganjëherë hijet dynden me rrëmbesë e njeriu rrethohet nga errësira e verbër. Derisa të jemi këtu poshtë, në tokë, mund të lidhemi me Zotin më shumë përmes dëgjimit, sesa përmes vegimit; e mund të themi se i njëjti kundrim jetohet me sy mbyllur, falë dritës shpirtërore, që na ndez në shpirt fjala e Zotit” (Engjëlli i Tënzot i 12 marsit 2006).
Mbi Tabor Pjetri, Jakobi e Gjoni kundruan lumturinë e Birit të Zotit, të cilin e panë të veshur me dritë të bardhë. E pikërisht veshja e bardhë e flakëruese e Jezusit, na kujton rilindjen në pagëzim, parashijim i jetës qiellore:
“Kjo është pika vendimtare: shndërrimi është përshpejtim i ngjalljes, por kjo të kujton edhe vdekjen. Jezusi u tregon Apostujve lumninë e tij, që të kenë forcë për ta përballuar shkandullin e Kryqit e të kuptojnë se duhet të durojnë shumë mundime, për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit” (Engjëlli i Tënzot i 17 shkurtit 2008).
Jezusi – siç shprehet Psalmi – është më i bukuri ndërmjet bijve të njeriut, por misteriozisht, është edhe ai që – siç pohon Isaia – nuk ka pashi e as bukuri për të tërhequr shikimet tona. Krishti – shpjegon Papa - na tregon se bukuria e vërtetë është dashuria e Hyjit, që di ta shndërrojë edhe misterin e errët të vdekjes, në dritën rrezëlluese të ringjalljes. Për të hyrë në jetën e amshuar – atëhere – duhet të dëgjojmë Jezusin, duke e ndjekur pas në udhën e Kryqit. Duhet ta dëgjojmë, ashtu siç e dëgjoi Maria:
“Ta dëgjojmë në fjalën e tij, të ruajtur në Shkrimin Shenjt. Ta dëgjojmë në vetë ngjarjet e jetës sonë, duke kërkuar të lexojmë në to kumtet e Provanisë. Ta dëgjojmë, së fundi, në vëllezërit, posaçërisht në të vegjëlit, të varfërit, në të cilët Jezusi vetë kërkon dashurinë tonë konkrete. Ta dëgjosh Krishtin e të ecësh në rrugën e tij: kjo është udha kryesore, e vetmja, që të çon tek gëzimi e dashuria e përkryer” (Engjëlli i Tënzot i 12 marsit 2006).
Së fundi – shpjegon Papa – Shndërrimi i Jezusit ishte kryesisht përvojë e lutjes. Duke u lutur, Krishti kridhet në Hyjin, që është dashuri, është dritë, është jeta vetë.
Shndërrimi i Jezusit në sa lutej mbi mal, sipas rrëfimit të Shën Lukës ungjilltar i ka dhënë disa herë Papës shtytjen për të nënvizuar se Jezusi, kur dialogon me Atin e vet qiellor, nuk del nga historia, nuk i shmanget misionit për të cilin ka ardhur në botë, ndonëse e di mirë se duhet të kalojë përmes kryqit për të arritur në lumni. Madje Krishti hyn edhe më thellë në këtë mision, duke iu nënshtruar me gjithë vetveten vullnetit të Atit. Tregon, kështu, se lutja e vërtetë është ajo që na ndihmon ta bëjmë vullnetin tonë një me atë të Zotit. Prej këndej, për të krishterin, të lutet nuk do të thotë të ikë nga realiteti e t’i shmanget përgjegjësisë, por ta pranojë deri në fund të fundit, duke besuar plotësisht në dashurinë besnike e të pashterrshme të Zotit:
“Lutja nuk është një element ndihmës, nuk është optional, por është çështje jete a vdekjeje. Vetëm ai që lutet, dmth që e lëshon plotësisht vetveten në dorë të Zotit me dashuri bijnore, mund të hyjë në jetën e amshuar, që është vetë Zoti” (Lutja e Engjëllit të Tënzot e 4 marsit 2007).







All the contents on this site are copyrighted ©.