2009-08-05 17:11:17

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’: “Një ditë nga jeta e misionares së Bamirësisë”.


(05.08.2009 RV)RealAudioMP3 Po vijojmë shfletimin e librit ‘Jeta ime’, përmes ciklit të emisioneve ‘Me Nënë Terezën’, kushtuar së Lumes.
Në emisionin tonë të katërt, “Një ditë nga jeta e Misionares së Bamirësisë”, do të njihemi nga afër me veprimtarinë e përditshme të motrave të Nënë Terezës. Njohje që nuk mund të mos na shtyjë t’i bëjmë vetes pyetjen: ‘Po ne, si e kalojmë ditën? Ditët? Ç’bëjmë për Jezusin? E, sidomos, ç’mund të bëjmë?
Nënë Tereza na këshillon, duke përshkruar një ditë nga jeta e saj dhe e motrave të saj të Kongregatës, që nuk jetojnë për vete, por për njerëzit më të braktisur të botës, në emër të Krishtit:

"E fillojmë ditën në orën 4. 30 të mëngjesit, me lutje e meditim.
Bashkësia jonë është shumë e bashkuar: prandaj gjithçka e bëjmë së bashku. Bashkë lutemi. Bashkë shtrohemi në sofër. Bashkë punojmë.
E nisim ditën me Meshën Shenjte, me Kungimin, për ta vijuar me meditim.
Pastaj, me që secila nga ne ka vetëm dy sari, njërën palë duhet ta lajmë ditë për ditë, për ta ndërruar të nesërmen.
Në orën 7. 30 simotrat shkojnë tek Shtëpia e njerëzve në prag të vdekjes (kuptohet se jam duke folur për ditën e bashkësisë së Kalkutës, ndonëse ajo, me ndryshime krejt të parëndësishme, është e njëjtë në të gjitha viset ku jemi të pranishme).
Të tjera shkojnë në dispanseritë e në strehët për të gërbulurit.
Të tjera, në punë ndër shkollat e lagjeve të varfëra, të cilat na janë besuar.
Të tjera, në kuzhinë, ku na përgatisin për të ngrënë, ne e të varfërve tanë.
Të tjera shkojnë të vizitojnë familjet nevojtare, që kanë njerëz të sëmurë.
Të tjera, të japin mësime katekizmi.
E kështu me radhë….
Mund të them se përhapemi në të gjithë qytetin (kujtoj se vetëm në Kalkutë kemi pesëdhjetë e nëntë qendra: Shtëpia e njerëzve në prag të vdekjes, ndonëse më e njohura, nuk radhitet ndërmjet tyre).
Përhapemi në të gjithë qytetin, me rruzare në dorë (kështu e themi zakonisht rruzaren: duke ecur rrugëve. Nuk shkojmë kurrë ndërmjet njerëzve, pa u lutur më parë. Rruzarja ishte, është e do të jetë gjithnjë forca jonë e mbrojtja jonë).
Në të katër anët e botës, motrat vishen si unë, me të njëjtën sari.

 
“Në orën 12. 30 kthehemi për të ngrënë drekë.
Pas dreke, ata që kanë turnin, bëjnë punët e shtëpisë.
Më pas, të gjitha motrat pushojnë një gjysëm ore. E natyrshme, pasi kanë ndenjur në këmbë gjithë paraditen e lume.
Aty nga ora 2. 00 bëjmë një orë lexim shpirtëror.
Pastaj marrim një tas çaj.
Në orën tre, motrat me kushte dalin rishtas (rishtaret e dëshirtaret rrijnë në shtëpi: ndjekin mësime teologjie, studiojnë Shkrimin Shenjt e njihen me tema të tjera të kësaj natyre. Për shembull, njihen nga afër me Kushtetutën…).
Nga ora 6. 15 deri në 6. 30 kthehen përsëri. Nga 6.30 deri në 7. 30 bëjmë adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament që vendoset jashtë, mbi elter.
Kjo orë adhurimi na detyron ta ndërpresim punën, pa harruar se për ne puna është lutje e lutja, shërbim ndaj të varfërve.
Mund të punojmë 10 ose 12 orë, pa e ndërprerë shërbimin.
Në 7.30 hamë darkën.
Pas darke, për njëzet minuta, përgatisim punën për të nesërmen.
Nga 8.30 deri në 9.00 çlodhemi (të gjitha flasin atëhere me zë të lartë, sepse kanë punuar gjithë ditën).
Në orën 9. 00 themi lutjet e mbrëmjes e përgatisim meditimin për mëngjesin e së nesërmes.
(Mend harrova; pas drekës, bëjmë rrëmimin e ndërgjegjes, themi Oficen Hyjnore e bëjmë Udhën e Kryqit).
Çdo javë kemi një ditë ushtrimesh shpirtërore.
Këtë ditë rishtaret dalin nga shtëpia e shkojnë për të punuar, duke pasur parasysh se janë të vetmet, që nuk shkojnë në punë çdo ditë.
Të gjitha motrat me kushte rrinë në shtëpi ditën e ushtrimeve shpirtërore.
Është ditë shumë e rëndësishme, që na krijon kushte të rifitojmë forcat e të mbushim përsëri boshllekun shpirtëror, krijuar nga vrapimi i përditshëm.
Këtu qëndron bukuria e saj.
Është edhe dita në të cilën, përveçse i kushtohemi në mënyrë të veçantë adhurimit, edhe rrëfehemi.
Puna që bëjmë ne, misionaret e bamirësisë, nuk është tjetër, veçse mjet për ta shndërruar dashurinë tonë për Krishtin në vepra konkrete dashurie e jete.
Tejet i bukur fakti, që ne e ju plotësojmë njëri-tjetrin.
Atë që bëjmë ne në lagjet e mjerimit, ju ndoshta nuk mund ta bëni.E atë që bëni a që mund të bëni ju, sipas vendit që zë secili në shoqëri e sipas thirrjes individuale, në familje, në vendet e studimit a të punës, ne nuk mund ta bëjmë.
Po të gjithë së bashku, ju e ne, jemi duke bërë diçka të bukur, për Zotin!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.