(05.08.2009 RV) Diametralisht i
kundërt lajmi i dytë nga Shqipëria. Vërtet Tirana nuk është në gjendje të bëjë analiza
virale, por nga ana tjetër është e gatshme të hedhë në orbitë satelitin e parë për
kontrollin e territorit. Me nismën e Politeknikut të Torinos dhe me bashkëpunimin
e shkencëtarëve shqiptarë po studiohen mundësitë për të realizuar së shpejti një satelit
që të kontrollojë pyjet për ndonjë zjarr, dëborën mbi male, fenomenet e erozionit
të bregdetit dhe ndotjen e territorit. Nga Departamenti i Klimatologjisë dhe Ambientit
në Politeknikun e Tiranës bëjnë të ditur se sateliti mund të kontrollojë edhe Malin
e Zi, Maqedoninë, Kosovën, veriun e Greqisë dhe Puljen në Itali. Sateliti do të ndërtohet
nga ndërmarrje ndërkombëtare dhe hedhja e tij në orbitë mund të bëhet nga Kolorado
në SHBA. Ideja do të realizohet vetëm nëse përveç qeverisë shqiptare, edhe vendet
e rajonet fqinje do të mbështesin projektin.