2009-08-05 16:46:21

Hilari Klinton në Afrikë


(05.08.2009 RV)RealAudioMP3 Filloi nga Kenia turneu afrikan i sekretares amerikane të shtetit, Hilari Klinton. Ajo do të vizitojë gjashtë vende të kontinentit. Një mision diplomatik i vështirë, gjatë të cilit do të flitet për problemet e Afrikës, që nga zhvillimi në qëndrueshmërinë politike, që nga lufta kundër varfërisë deri tek ajo kundër Sidës. E jo rastësisht, vizita e zonjës Klinton përkoi me hapjen në Nairobi të punimeve të Konferencës për Zhvillimin, organizuar nga programi amerikan për zhvillimin në Afrikë. Mbi arsyet e impenjimit të administratës Obama kundrejt kontinentit të zi, të dëgjojmë opinionin e sekretarit të përgjithshëm të organizatës jo qeveritare “Actionaid”, Luka de Fraia:
Konferenca që po zhvillohet në Nairobi është një mbledhje mbi shkëmbimet tregtare ndërmjet SHBA-ve dhe Afrikës. Duhet parë nëse SHBA-të mund t’i ofrojnë kontinetit kushte më të mira. Afrika ka ndryshuar shumë gjatë këtyre viteve. Është mirë të kujtojmë se para krizës botërore, kontinenti rritej me 5 ose 6% në vit në disa raste, shoqëruar me përmirësimin e treguesve makro-ekonomikë. Ka shumë sinjale pozitive.
Duket sikur interesimi botëror për Afrikën, e në veçanti ai amerikan, lidhet me konkurrencën e Kinës, e cila i ka futur mirë këmbët në rajon…
Siç është thënë në disa raste, tashmë Kina është e pranishme kudo në kontinent: është partneri i dytë tregtar, pas SHBA-ve. Është shenjë e kohrave, e kjo do të thotë edhe se kontinenti afrikan, me pasurinë, burimet e tij është në qendër të interesave të politikës e të zhvillimit, është një nga aktorët e botës së globalizuar. Që të bëhet protagonist i zhvillimit të vet, duhen aftësi më të mira qeverisëse. Për të luftuar varfërinë, por sidomos për të siguruar shpërndarjen e ushqimit për të gjithë, duhen burime të brendshme, të çdo vendi, por edhe të jashtme. Presidenti amerikan Obama ishte një nga krerët botërorë që nxiti më shumë krijimin e një iniciative të re për sigurinë ushqimore në G8-ën e Akuilës.







All the contents on this site are copyrighted ©.