2009-08-05 16:46:11

Fortress Europe mbi emigracionin


(05.08.2009 RV)RealAudioMP3 Nuk ndalet tragjedia e emigracionit të parregullt në Mesdhe. Vetëm gjatë muajit korrik, sipas të dhënave të Observatorit mbi emigracionin “Fortress Europe”, 14 vetë kanë gjetur vdekjen në det. Tre vetë janë vrarë ndërkaq nga policia egjiptiane në kufi me Izraelin. Rreth dhjetë emigrantë kanë humbur jetën në Greqi, Turqi e Spanjë. Cila është gjendja, në një kohë kur Evropa po i mbyll gjithnjë e më tepër dyert për emigrantët e po ua bën jetën gjithnjë e më të vështirë klandestinëve? Të dëgjojmë themeluesin e organizatës “Fortress Europe”, italianin Gabriele Del Grande:
Duhet të shohim krejt zonën e Mesdheut. Në Itali, numri i të ardhurve nga deti është ulur, por fenomeni nuk është bllokuar. Kalimi i Mesdheut bëhet në drejtim të Spanjës për shembull, nga Turqia drejt Greqisë e Bullgarisë për të shkuar drejt Evropës Perëndimore. Shumë vetë hyjnë në Evropë nga toka. Edhe Izraeli është bërë një pikë arritjeje sidomos për sudanezët, të cilët kalojnë nëpër Egjipt e mbërrijnë në Izrael, ku kërkojnë strehim politik.
Është folur shpesh për të bërë dallime ndërmjet emigrantëve të mirëfilltë ekonomikë dhe atyre që kanë të drejtën e strehimit politik. Ç’mund të bëjë Evropa?
Para së gjithash, të respektojë të drejtën e strehimit dhe konventat ndërkombëtare. Duhet të kemi parasysh se, në emër të luftës kundër emigracionit klandestin, ne po i kthejmë të gjithë në Libi. Këta persona i kthejmë pa i identifikuar, pa parë nëse ka ndonjë refugjat ndërmjet tyre, i çojmë në burg, aty ku njerëzit mbahen për një kohë të pacaktuar. Por të mos harrojmë se për ata që kërkojnë strehim politik ka detyrime ndërkombëtare, konventa që Italia dhe vendet e tjera evropiane i kanë nënshkruar, por nuk i respektojnë.
Ç’mund të thoni për emigrantët që kërkojnë punë në vende të tjera e nuk janë refugjatë politikë?
Edhe njerëzit që vijnë për të kërkuar punë, në të vërtetë nuk janë të dëshpëruar. Të dëshpëruarit e vërtetë mbeten në vendin e tyre, pasi udhëtimi për të ardhur në Evropë kushton shumë. Emigrantët që nisen janë persona për të cilët Evropa ka nevojë. Ekziston një nevojë reale për krahë të huaj pune, por nuk ekziston mekanizmi kërkesë-ofertë. Fenomeni i zbarkimeve të emigrantëve është pasojë e mosfunksionimit të atij mekanizmi.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.