2009-08-04 16:56:01

Në gusht Papa na fton të lutemi për refugjatët dhe të shpërngulurit. Drama e tyre duhet t’i zgjojë ndërgjegjet.


(04.08.2009 RV)RealAudioMP3 Në ndjetin e lutjes për muajin gusht, Benedikti XVI i fton të gjithë besimtarët ta lusin Zotin që opinioni publik të jetë më i ndjeshëm përballë problemit të miliona të shpërngulurve e refugjatëve e të gjinden rrugëzgjidhje konkrete për gjendjen e tyre, shpesh herë tragjike. Mbi këtë ndjet flet, në mikrofonin tonë, drejtori i Qendrës romake ‘Astali’ të jezuitëve për refugjatët, atë Gjovani la Mana:

Përgjigje: - Jemi të kënaqur që Ati i Shenjtë na mbështet, duke i ftuar besimtarët të luten për 42 milionë refugjatët e shpërndarë nëpër botën e sotme. Kjo duhet t’i zgjojë ndërgjegjet e atyre që kanë përgjegjësi e edhe fuqi për t’i ndryshuar fatet e kësaj bote. Fate, këto, që na shqetësojnë fuqimisht si besimtarë, sepse të drejtat e njerëzve shkelen, ndërsa flitet e flitet për vëmendje ndaj tyre. Në Itali, këtë çast, me dekretin e ri të sigurisë, na shqetëson thellësisht fati i refugjatëve. Ua njohim të drejtën e strehimit politik, sepse nënshkrues të Traktatit të Gjenevës, ndërsa faktikisht ua mohojmë, sepse i pengojmë të vijnë e, prej këndej, të bëjnë kërkesën për t’u strehuar larg vendeve, ku i pret persekutimi e edhe vdekja.

Pyetje: - Miliona njerëz, çdo vit, detyrohen të lënë shtëpitë e tyre e të kërkojnë mbrojtje në vise të tjera; janë viktima të persekutimeve, të dhunës, të luftërave, për të cilat dimë fare pak. Ç’mund të mësojmë nga historitë e tyre?

Përgjigje: - Mësimi i parë është ai i besimit të fuqishëm në shpresën e në vetë jetën. Nuk mund të mos e pranojmë përgjegjësinë për atë që po ndodh në botën tonë. Me mënyrën si jetojmë ditë për ditë, mund ta lehtësojmë këtë mënyrë veprimi, por mund t’i themi edhe ‘jo!”. Mund të dëshirojmë që kjo botë të ndryshojë, t’u krijojë të gjithë njerëzve mundësitë të jetojnë në paqe e ta praktikojnë fenë e tyre në trojet e veta, në girin e kulturës së vet e me familjen e vet, duke vijuar punën në atdhe.

Pyetje: - Papa lutet që drama e të shpërngulurve dhe e refugjatëve të ndjehet më fort nga opinioni publik. Mendoni se mund të formohet një vetëdije solidare globale?

Përgjigje: - Është e mundur. Këtë synon gjithë impenjimi ynë. Na duket se shumë kanë vënë në plan të parë, në jetën e tyre, përparësi të tjera, nga ato që janë vërtetë të rëndësishme, siç është jeta vetë e edhe respekti për dinjitetin e vëllezërve tanë, që vuajnë.

Pyetje: - Ju mendoni se t’i mbrosh të shpërngulurit e refugjatët është sfidë botërore, për të cilën megjithatë shpesh nuk gjinden rrugëzgjidhjet e përshtatshme? Ç’përgjigje mund të japin shtetet, por edhe qytetarët e veçantë?

Përgjigje: - Mikpritjen: t’i njohin tjetrit dinjitetin, duke e pranuar si vëlla. Nga kjo përpjekje nis mundësia për të hyrë në lidhje me atë, që kalon vështirësi. Nis mundësia për ta kuptuar se në këtë botën tonë ka edhe luftëra, ndonëse na duken tejet të largëta nga pragu ynë. Përballë tyre, nuk mund të qëndrojmë indiferentë. Na trishton, pastaj fakti, se Bashkimi Evropian bëhet gjithnjë më shumë kështjellë e ngritur kryesisht për t’iu kundërvënë fenomenit të arritjes së njerëzve, në vend që të shqetësohej për vetë njerëzit, duke ua hapur dyert e duke u munduar të kuptojë çka nuk funksionon si duhet. Duhen ndihmuar, duke respektuar jetën e njerëzve, të cilët nuk vijnë në Itali e as në Evropë për shëtitje, por detyrohen të vijnë, pikërisht sepse në vendet e tyre ka gjëra, që nuk funksionojnë si duhet.







All the contents on this site are copyrighted ©.