Me 4 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Maria Vianej!
(04.8.2009 RV)Gjon Maria Vianej
lindi në Dardili, pranë Lionit në Francë, më 8 maj 1786 në një familje fshatare.Ishte
pa ndonjë formim fillestar dhe donëse i mungonte kultura e nevojshme, në gusht të
vitit 1815 ia doli mbanesh të shugurohej meshtar, vetëm pse mbahej nga të gjithë si
model i dashurisë së krishterë. Si u emërua famullitar në Ars-an-Dombë, iu kushtua
plotësisht ungjillëzimit të vendit, kryesisht duke u bërë shembull mirësie e dashurie,
ndonëse i torturuar nga mendimi se ishte i denjë për detyrën e tij, ndjehej krejt
i papërgatitur për një mision kaq me përgjegjësi. Dhjetë vjet pas arritjes së Gjon
Maria Vianejt, Arsi ishte përplot me besimtarë e ai, që në fillim e kishte të ndaluar
të rrëfente, u bë njëri nga rrëfyesit më të ndritur në historinë së Kishës. Dëshmoi,
kështu, se jo gjithnjë filozofia e teologjia janë të nevojshme për t’i afruar shpirtrat
tek Zoti e për t’i udhëhequr ndërgjegjet drejt dritës së Krishtit. Po, le të njihemi
me disa hollësi të jetës së Shenjtit. Dukej sikur e gjithë bota ishte ngritur kundër
dëshirës së tij për t’u bërë prift: i jati, i cili nuk donte kurrsesi që i biri të
ndiqte këtë rrugë; Revolucioni që çkristianizoi Francën; Napoleoni që e thirri ushtar,
në sa ai u detyrua të dezertonte, duke mos dashur t’i shërbente njeriut që kishte
burgosur Papën Piu VII. Do të ishte burgosur, po të mos e kishte shpëtuar i vëllai,
Fransua, që e zëvendësoi në ushtri. Më në fund, nën udhëheqjen e me ndihmën e famullitarit
të vet të Ekyji, pranë Lionit, Atë Ballě, Gjon Maria Vianej në moshën 29 vjeç u bë
prift në gusht të vitit 1815, në sa anglezët e çonin Napoleonin të burgosur në ishullin
e Shën Elenës. Shugurohej pa i kryer studimet, e jo se e kishte penguar revolucioni.
Nuk e kuptonte latinishten, nuk dinte të argumentonte, as të predikonte... pra, nuk
mund të realizonte dëshirën për t’u bërë meshtar. Sikur thamë, u desh guximi i Abatit
Sharl Balě, famullitar i Ekyji-së, pranë Lionit, për t’ia hapur rrugën drejt meshtarisë:
ishte abati ai, që i dha mësim në qelën e vet, që e dërgoi në seminar, që e mikpriti
kur i ndërpreu studimet, që vijoi ta përgatiste me durim, derisa e shuguroi meshtar
në Grenoblë. Meshtari i ri e filloi detyrën e famullitarit të Arsit me ankth, me dëshirën
për të ikur nga famullia. Por, pas pak vitesh, në Ars filluan të vinin njerëz nga
të katër anët, ashtu siç shkohet në shtegti. Vinin për të, pasi qe bërë i njohur përmes
ndihmës që u jepte famullive të tjera, sidomos kur ishte nevoja për të rrëfyer. Ky
famullitar, i përqeshur nga priftërinjtë e tjerë, madje edhe i paditur te ipeshkvi
për “huqe” dhe “çrregullime”, nisi të qëndrojë gjithnjë më gjatë në rrëfyestore, falë
talentit të tij për të drejtuar e për të ngushëlluar shpirtrat, u bë i njohur në të
gjitha shtresat e shoqërisë franceze të kohës. Njerëzit që ishin shpresëhumbur, largoheshin
nga rrëfyestorja e tij plot fe e shpresë. Në sa ai vijonte ta konsideronte veten të
paaftë aq, sa provoi dy herë të ikë nga famullia kishtare. E u kthye shumë shpejt
mbrapsht, sepse në Kishë e prisnin qindra njerëz të ardhur edhe nga larg. Vijoi të
rrëfejë e të kremtojë meshë deri në verën e vitit 1859, kur nuk qe më në gjendje të
shkonte në kishë, sepse po jepte shpirt në moshën 73 vjeçare. E pagoi mjekun, duke
e porositur të mos vinte më, sepse shihej qartë që mjekimet ishin të kota. Kur njerëzit
e morën vesh lajmin e vdekjes së Gjon Maria Vianejt, s’mjaftuan trenat as veturat,
për t’i përballuar shtegtarët që niseshin drejt Arsit – shkruan një dëshmitar i kohës.
Turma që donte t’i jepte lamtumirën e fundit ishte aq e madhe, sa trupi i tij u mbajt
në Kishë dhjetë ditë e dhjetë netë. Papa Piu XI do ta shpallte shenjt më 1925. Paraqitet
si shembull e pajtor i klerit të famullive kishtare.