Sot me 3 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Lidien.
(03.8.2009 RV)Lidia është fryti i parë i pjekur nën rrezet e diellit të krishterimit
në Evropë. Ishte prozelite hebraike e jetonte në Filipi të Maqedonisë, ku Shën Pali
Apostull, i shoqëruar nga Sila, Timoteo e Luka, pati shkuar gjatë shtegtimit të tij
të dytë misionar, ndërmjet viteve 50 e 53. Shtëpia e Lidies u bë qendra e parë e bashkësisë
të ndjekësve të Krishtit, pra Kisha e parë në Evropë, në të cilën apostujt takoheshin
dhe u jepnin zemër vëllezërve. Ndonëse mungojnë të dhënat për kultin e Shën Lidies,
që kujtohet në Martiriologun Romak, shenjtëria e saj është e qartë e del në pah, sepse
Lidia qe ndër të parat që iu përgjigj me gjithë zemër e plot bindje hirit Hyjnor.
“Të shtunën – rrëfen Shën Luka në Veprat e Apostujve - dolëm jashtë portës dhe ecëm
gjatë brigjeve të lumit, ku mendohej se do të gjindej një vend për lutje. U ulëm e
filluam t’u flisnim grave, që ishin mbledhur për të na dëgjuar. Njëra nga ato,
e quajtur Lidia, tregtare purpure, nga qyteti i Tiatirës, grua me frikën e Zotit,
po na dëgjonte. Zoti ia hapi zemrën që ta kuptonte çka po thoshte Pali. Atëherë ajo
kërkoi të pagëzohej, e bashkë me të u pagëzuan edhe njerëzit e tjerë të familjes,
të cilët nisën t’i prisnin misionarët në shtëpinë e tyre si miq të dashur. Kështu
Lidia u bë prototip e simbol i të gjitha grave, që ndezën brenda mureve shtëpiake,
flakën e fesë në Krishtin.