2009-08-01 13:19:55

‘Me Nënë Terezën'.


(02.08.2009 RV)RealAudioMP3 Në atmosferën meditative, që krijojnë dy data përkujtimore: 26 gushti, 99 vjetori i lindjes së Ganxhe Bojaxhiut (kujtojmë se vitin e ardhshëm do t'i kremtojmë njëqind vjetorin) dhe 5 shtatori, kur mbushen 12 vjet nga dita e kthimit të së Lumes Terezë tek Ati qiellor, e ftuam simbolikisht Nënë Terezën në mikrofonin tonë për të tretën herë, duke iu lutur të vijojë tregimin mbi jetën e saj aq të jashtëzakonshme.
Për Nënë Terezën janë shkruar shumë biografi. Janë realizuar edhe filma (i fundmi, filmi dokumentar, realizuar pak kohë më parë nga regjisori shqiptar Gjon Kolndrekaj), pa kujtuar këtu mijëra shkrime kushtuar së Lumes, që kanë parë e shohin dritën e shtypit në revistat e gazetat e mbarë botës e në gjuhët e botës mbarë, sepse misioni i saj vijon. Vijon jo vetëm përmes veprimtarisë së mijëra motrave të saj, por edhe përmes veprimtarisë së përditshme të çdo besimtari të krishterë, që dëshiron të shuajë etjen e Krishtit në kryq për dashuri.
Ndërmjet gjithë këtyre shkrimeve, qysh në gushtin e vitit 2007, zgjodhëm biografinë, që na u duk më afër së vërtetës mbi jetën e saj.
Nuk e shkroi ajo vetë.
Nënë Terezës as që i shkoi ndonjëherë mendja të shkruante një autobiografi. Ndoshta, po ta kishte porositur Papa (e ajo njohu Papën Pali VI e Gjon Palin II) edhe mund ta kishte shkruar, për të bërë dëgjesën shenjte. Por atë që nuk ia kërkuan kurrë papët, ajo e tha me vepra, për t’i shprehur Jezusit dashurinë e saj të pakufishme, pa i shkuar në mend se dikush i mblidhte ditë për ditë fjalët e saj.
Këto fjalë, të mbledhura nën kujdesin e Josè Luis Gonzales-Balado, u radhitën në librin ‘Jeta ime’, që nisëm ta shfletojmë së bashku, në një cikël emisionesh kushtuar së Lumes, titulluar ‘Me Nënë Terezën’, transmetuar gjatë gjithë muajit gusht 2007 e 2008. Po e vijojmë shfletimin duke nisur atje ku mbetëm, e pikërisht tek “Kushti i katërt”, me besim se kështu, ditë për ditë e vit për vit, do ta përfundojmë gjithë jetëshkrimin e Nënë Terezës. Do t’i shtojmë kështu, një titull të ri në gjuhën tonë, bibliografisë së gjatë të veprave kushtuar së Lumes shqiptare:

“Jezuitët, përveç tri kushteve tradicionale të varfërisë, pastërtisë e dëgjesës, bëjnë edhe një kusht të katërt, atë të bindjes ndaj Atit të Shenjtë për çdo mision, që u ngarkon.
Edhe ne, që nga çasti i parë i jetës së Kongregatës sonë, bëmë një kusht të katërt: t’u shërbejmë me gjithë zemër e pa kurrfarë interesi të varfërve më të varfër.
Kur e përfshimë në Rregull, propozova tri synime: para së gjithash, të ruajmë besnikërinë ndaj thirrjes sonë; së dyti, të ruajmë varfërinë e, së treti, të lëshohemi plotësisht në dorë të Zotit.
Kushti i katërt na vë në shërbim të njerëzve të mrekullueshëm, që nuk kanë asgjë e askënd, na çon ndërmjet të sëmurëve, atyre që i jetojnë në vetmi të plotë çastet e fundme, që janë gjymtuar, që dehen, që u kullojnë qelb plagët e hapura nga gërbula, që jetojnë pa e ditur pse jetojnë, që kanë harruar ç’është dashuria, ç’do të thotë të takohesh me tjetrin e si është buzëqeshja njerëzore.
Kushti i katërt është themelor për Kongregatën tonë.
Një specialist në drejtësinë kanonike më tha një ditë:
“Në se ndonjë ipeshkëv do të pretendonte nga ju të bëni punë që nuk përkojnë me kushtin e katërt, mjafton t’i shkruani Kongregatës për Rregulltarët: ndryshimi nuk do të autorizohet!”.
Në të vërtetë, një ipeshkëv kërkoi që motrat të pranonin një shpërblim të vogël nga të sëmurët, që vinin të mjekoheshin në dispanserinë tonë.
E kundërshtova.
I ndalova motrat të shërbejnë e dispanseria u mbyll.
Ne punojmë për të varfërit, ndërmjet të varfërve, prandaj nuk mund të mos jemi të varfëra. Përndryshe, si do të mund t’i kuptonim njerëzit, në shërbim të të cilëve e kemi vënë, me kusht, jetën tonë?
Në se ata ankohen për ushqimin që hanë, mund t’u përgjigjemi:
“Edhe ne hamë si ju!”.
Në se ndokush do të ankohej:
“Vapë e madhe mbrëmë. Plasa. S’ mbylla sy gjithë natën…”, mund t’i përgjigjemi:
“Po, vërtetë bënte shumë vapë”.
Të varfërit i lajnë vetë rrobat e janë gjithnjë këmbëzbathur.
Ashtu edhe ne.
Duhet të ulemi deri në ultësirat më të thella të tyre, për t’i ngritur lart.
Vetëm kur e shikojnë me sytë e tyre se jetojmë si ata, mund të na e hapin zemrën.
Nganjëherë s’kanë tjetër, veçse një kovë ujë.
Edhe ne na ndodh shpesh e njëjta gjë.
Bukën tonë, rrobat tona, gjithçka, gjithçka, duhet ta kemi si e kanë të varfërit.Ne duhet të agjërojmë.
Kjo do të thotë, të hamë bukën që na falin, ashtu si ua falim ne të varfërve".







All the contents on this site are copyrighted ©.