2009-08-01 13:18:10

Shenjtorët e Javës së ardhshme


(02.8.2009 RV)RealAudioMP3 Më 2 gusht, kalendari liturgjik kremton të dielën e 18-të gjatë vitit kishtar e po më 2 gusht bie edhe përkujtimi i Shën Euzebit, ipeshkëv i Verçelit, Shën Pjetrit Gjuliani Eimard, themelues i Sakramentinëve dhe Shën Shtjefnit, papë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se thesari, margaritari e tregtari janë simbole të mbretërisë së Krishtit. Duhet, prandaj të vlerësojmë mbi çdo të mirë e çdo pasuri, bashkimin tonë me Zotin.
Të hënën, 3 gusht, sipas kalendarit kishtar bie festa e Shën Lidies, nxënëse e Shën Palit. Liturgjia e ditës na kujton se kush është nxënës i Jezusit, bëhet edhe specialist në Shkrimit Shenjt. Nga Bibla, pastaj, mëson të nxjerrë, ashtu si nga një thesar, kuptime të reja e të vjetra për jetën e përditshme.
Të martën më 4 gusht do të kremtohet Shën Gjon Maria Vianej, famullitari i Arsit, Pajtor i klerit. Liturgjia e ditës na kujton se të huajt e kuptuan të parët që Jezusi ishte profet, ndërsa në atdheun e tij, mësimet e Krishtit shkaktonin shkandull.
Të mërkurën më 5 gusht , sipas kalendarit kishtar do të kremtohet kushtimi i bazilikës së Shën Marisë së Madhe në Romë. Liturgjia e festës, që njihet edhe me emrin ‘Zoja e Dëborës’ na kujton se të ndjekësh Jezusin nuk është gjë e lehtë. Duhet ta mbartësh kryqin së bashku me Të e, në se është nevoja, të japësh edhe jetën për Të.
Të enjten e ardhshme më 6 gusht, Kisha kremton festën e Shndërrimit të Zotërisë Jezu Krisht. Petkat e tija u bënë të bardha porsi bora (Dn 7,9-10.13-14). Në fytyrën e tij shkëlqen lavdia e Atit( Ps 96). Këtë zë, ne e kemi dëgjuar derisa zbriste nga qielli (2Pt 1,16-19). Ky është Biri im – djali i Dëshirit (Mk 9,2-10).
Ngjarja kulmore e jetës publike të Jezusit është Shndërrimi, sikur se Pagëzimi ishte fillimi i jetës së tij publike e të Ngjiturit në qiell, fundi.
Për besimtarët, kjo ngjarje e Shndërrimit të Jezusit është parashijimi e avancimi i Pashkëve dhe i lavdisë së jetës së amshuar.
Të premten më 7 gusht, sipas kalendarit kishtar përkujtohet Shën Siksti II-të e shokët martirë; Shën Gaetani e Anania.
Liturgjia e ditës na kujton fjalët e Psalmistit: ‘Vëre në gojën time, o Zot, fjalën e vërtetë!’. Të uritur për dëgjim, njerëzit e ndjekin Jezusin kudo që ai shkon. Edhe me pesë bukë e dy peshq, Jezusi arrin të kënaqë çfarëdo nevoje materiale e shpirtërore – pohon Ungjilli i kësaj dite marrë nga Shën Mateu (Mt 4.13-21);
Të shtunën e ardhshme më 8 gusht, bie festa e Shën Dominikut, meshtar.
Liturgjia e ditës na kujton se predikimi dhe lutja karakterizojnë stilin e Jezusit. Kush ka fe, kush ka besim në Të dhe ndjek gjurmët e Tij, nuk mund të pushtohet nga frika, as në momente e në situata të vështira të jetës, madje as edhe në ato të pamundshme të ekzistencës. Besimi në Zotin është mbështetje dhe mburojë për njeriun që shpreson në Të.
Të dielën më 9 gusht, Kisha kremton të dielën e 19-të gjatë vitit kishtar e po më 9 gusht kalendari kishtar përkujton edhe Shën Terezën Benedikta e Kryqit (Edith Stein), virgjër e martire, bashkëpajtore e Evropës, shpallur nga Papa Gjon Pali II-të më 1 tetor të vitit 1999.
Kujtojmë këtë figurë të jashtëzakonshme, Shën Terezën-Benedikta e Kryqit e cila ishte rregulltare karmelitane, filozofe e thellë dhe shkrimtare e shkëlqyer.
Kësaj shenjtëreshe e cila e flijoi jetën e vet gjatë përndjekjeve naziste, i kërkojmë dhuratën për të mësuar të dialogojmë me Hebrenjë e besimtarë të feve tjera. Në të luturit së bashku të Shpirtit Shenjtë Zot, e nën frymëzimin e tij, ne e bëjmë Zotit të pranishëm në botë dhe i japim hapësirë dashurisë së tij shpëtimprurëse.







All the contents on this site are copyrighted ©.