2009-08-01 13:18:36

Një fizikan i njohur komenton temën e zgjedhur nga Papa për Ditën Botërore të Paqes “Nëse do paqen, mbro gjithësinë”.


(01.08.2009 RV)Javën që kaloi, u bë e njohur tema e zgjedhur nga Papa Benedikti XVI për Ditën Botërore të Paqes 2010, “Nëse do paqen, mbro gjithësinë”. Vendimi i Atit të Shenjtë përfaqëson “një kontribut themelor për ta përballuar në mënyrë korrekte sfidën e shekullit: mbrojtjen e gjithësisë nga gjithçka po e degradon atë, pa rënë në kurthin e katastrofizmit klimatik”. Kështu pohon studiuesi italian i fizikës së atmosferës, meteorologjisë dhe klimatologjisë, prof. Franko Prodi, i cili në faqet e gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano” komenton edhe vëmendjen që Ati i Shenjtë i ka kushtuar ambientit në Enciklikën “Caritas in veritate”. Eksperti i padiskutueshëm në fushën e vet nënvizon rëndësinë e kujdesit të Papës për çështjen e ambientit, si premisë për ndërtimin e paqes dhe vlerëson denoncimin e Benediktit XVI për përqëndrimin e aksionit botëror vetëm mbi klimën. Kjo, shpjegon profesori, na ka shtyrë të mos bëjmë thelbësoren, arritjen e një marrëveshjeje të menjëhershme që ligjet e tregut t’i nënshtrohen urgjencës së respektit për planetin. Në këtë kuptim, rekomandimi i Papës është themelor. Ati i Shenjtë na nxit të mendojmë se planeti ynë është shtëpia e të gjithëve, është trashëgimia që u lëmë brezave të ardhshëm. Prandaj, ruajtja dhe mbrotja e gjithësisë është detyrim moral. E nëse ky detyrim moral do të ishte në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare të zbatueshme për të gjithë, paqja do të ishte pasoja e pashmangshme, thekson prof. Prodi.







All the contents on this site are copyrighted ©.