2009-08-01 17:04:05

Filloi festa e Faljes së Asizit e vitit 1216


(01.08.2009 RV)RealAudioMP3 Me kremtimin solemn eukaristik të orës 11, u hap sot në Bazilikën e Porciunkolës në Shën Marinë e Engjëjve të Asizit, Festa vjetore e Faljes.
Si çdo vit, që nga orët e para të mëngjesit, mijëra shtegtarë shkuan në kishën e vogël të zgjedhur nga Shën Françesku 800 vjet më parë si qendër e Urdhërit të vet, për t’u rrëfyer e për të marrë Ndjesën e Plotë.
Në homelinë e meshës, atë Hozé Rodrigez Karbalo, Epror i Përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, kujtoi se qe vetë shenjti, i cili në vitin 1216 mori lejen nga Papa Onori III për t’u dhënë Ndjesën e Plotë të gjithë atyre besimtarëve të varfër, që nuk mund të shkonin në Tokën Shenjte apo në Santiago de Kompostela, por që mund të vinin në kishën e Porciunkolës. Shtegtimi për në kishë shoqërohet me shtegtimin e brendshëm, në rrugën e pajtimit me Hyjin dhe vëllezërit.
“Nëse përdorimi i keq i lirisë – nënvizoi atë Karbalo – na zbulon dramën e mëkatit dhe të pasojave të tij për njerëzimin, marrja e faljes së Zotit bëhet rruga për t’u dashur sërish, me sinqeritet e vërtetësi”.
Pasdite, në kishën e Porciunkolës shkuan shumë shtegtarë nga zonat e tërmetit në Abruco të Italisë, të cilët i kërkuan Zotit t’i pajtojë e t’i ndihmojë në rindërtimin e vendit. Në Lutjen e Mbrëmësores, të kryesuar nga ipeshkvi i Asizit, kryetari i bashkisë i ofron atij kemin, shenjë e lutjes që i lartohet Zotit nga Kisha e nga qyteti.
Falja e Asizit kërkohet vetëm një herë nga mesdita e 1 gushtit deri në mesnatën e 2 gushtit. Kushtet për ta marrë janë këto: vizita në kishën e caktuar për Ndjesën e Plotë, thënia e lutjes “Atynë” dhe e “Besojmës” së krishterë, rrëfimi për të qenë në Hirin e Zotit, pjesëmarrja në meshë e kungimi, lutja sipas ndjetit të Atit të Shenjtë, gatishmëria e shpirtit për të mos lënë t’i afrohet asnjë mëkat.







All the contents on this site are copyrighted ©.