2009-08-01 13:02:02

Dom Ndre Mjeda, Mësues Feje e Poezie - në 72 vjetorin e vdekjes.


(01.8.2009 RV)Sot u mbushën 72 vjet nga vdekja e poetit të madh, Dom Ndre Mjedës (1866 – 1937). I mbylli sytë në Shkodër, më 1 gusht 1937, pas një veprimtarie të palodhur fetare, kulturore e atdhetare. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte nismëtar për formimin e Komisisë letrare, themeloi shoqërinë kulturore "Agimi", punoi shumë për gjuhën shqipe, shkroi poezitë e përmbledhura në "Juvenilja", ndërmjet të cilave shkëlqejnë poemthat "Andrra e jetës", "Vaji i bylbylit", "Liria", "Lisus", "Skodra"…
Në një ditë si kjo, ia vlen jo vetëm të kujtosh artin e tij, por, mbi të gjitha, të mendosh sesi mund të nxirren në dritë thesare ende të pa zbuluara të krijimtarisë së tij. Nuk është aspak e çuditshme që edhe veprat e Mjedës, ndonëse i vetmi klerik katolik i pranuar ndërmjet shkrimtarëve që studioheshin ndër shkolla, gjatë periudhës së diktaturës, iu nënshtruan çensurës. Këtë fat patën kryesisht veprat me karakter fetar edhe disa krijime më pak të njohura poetike si “Majerling”, “Bija e verbtë ç’prei t’lémi”, dhe “Kânga e Mahmud Pashës”, botuar (ndërmjet poezive të tjera të Mjedës në Shahiri Elierz. Do bejta qi ka qít N. M. i S.J.) si shtojcë e një flete fetare nga Jak Junku në Kulshedra e Shpirtit, zblue t’rijve prei P. J. Junkut t’Shoqnís Jezu. Deri më sot nuk kemi një përmbledhje të veprave të Mjedës në prozë, studimet e tij për shkrimtarët e vjetër të Veriut dhe sidomos librat si “Jeta e shejtit sh’Njon Berchmans”, “T’pergiamit e Zojs Bekueme”, “Katekizmi i madh” në tre vëllime, “Historija Shęjte”.
Janë vepra që mbushin një zbraztësi të madhe në historinë e letërsisë shqipe, ku mungon plotësisht studimi i veprave me karakter hagjiografik, dmth tregimeve mbi jetën e shenjtorëve. Një nga veprat e munguara të Mjedës, me vlera të mëdha studimore në lëmin e gjuhës shqipe e sidomos të terminologjisë fetare, është oficja “Vizari Shpirtënuer”, punuar nga poeti-meshtar në bashkëpunim me fratin françeskan, Atë Benedikt Dema, pa kujtuar këtu letërshkëmbim tepër të pasur të Priftit-poet e gjuhëtar.
Nga poezitë e Dom Ndre Mjedës
Gjuha shqipe
Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m'shungullon
përmbi er' që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.
Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m'rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.
Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan' të bukra me themel
por prap' kjo, si diell pa hije,
për mue t'tanave iu del.
................................
Ku n'breg t'Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.
Geg' e tosk', malsi, jallia
jan' nji komb, m'u da, s'duron;
fund e maj' nji a Shqipnia
e nji gjuh' t'gjith' na bashkon.
Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak' e shkrime
çka natyra vet' përpoq.
Por me gjuhë kaq t'moçme e mjera
si nj'bij' kjo që pa prind mbet:
për t'huej t'mbajshin dhenat tjera,
s't'kishte kush për motër t'vet.
E njat tok' që je tue gzue,
e ke zan' tash sa mij' vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.

Vaji i Bylbylit

Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?


Pushoi murlani
Me duhi t'vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou mos rri shkret.


Gjith fushët e malet
Blerim i mbëloj;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoj.


Ndër pyje e orgaja,
N'ma t'mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjith'kend.


E tuj gjimue
Shkon rreth e rreth
Nji prrue qi veret
Rrjedh nëpër gjeth.


A çilë kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e orgaja,
Bylbyl, shpejto.


Kerkush ma hovin
Atje s'ta pret,
Me zeher haejen
Kerkush s'ta qet.


Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim,
E gjith ku t'rreshket
Shkon fluturim.


Nëpër lamije
Ke me gjet mel,
Për gjith'prendverën
Njajo buk t'del.


E kur t'zitë edi
ndër prroje pi,
Te njato prroje
Qi ti vetë di.


Tash pa frigë çerdhen
E ban ndoj lis;
Nuk je si'i nieri
Qi nuk ka fis


E kur t'vin zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.


Rreth e rreth gjindja
Me t'ndie rri;
Prej asi vendit
Dahen me zi.


A çilë kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.


Ndër drandofille,
Ndër zamakë nga;
Ku qeshet kopshti,
Idhnim mos mba.


Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Biylbyl i vorfën ,
Pse po gjimon?
Lirija

- I -
O shqype, o zogjt' e maleve, kallxoni:
a shndritë rreze lirie n'ato majë;
mbi bjeshkë t'thepisuna e n'ograjë,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?
A keni ndie ndokush, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj,
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqype, o zogjt' e maleve, kallxoni!
Lirim, lirim, bërtet gjithkah Malcija;
A ka lirim ky dhé që na shklet kamba,
a veç t'mjerin e mblon anembanë robnija?
Flutro, shqype, flutro kah çilet lama,
siellju maleve për rreth që ka Shqypnija,
e vështroje ku i del lirimit ama.
.................................

- VI -
Por nuk u shuejti edhe, jo, Shqyptarija:
Lodhun prej hekrash që mizori i njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënija.
E kqyrë: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t'Atdheut; mshehtas shetiti
kësollë për kësollë rreth buneve e soditi
frymë të re tue shprazun për gjithkahna, hija
e Skanderbegut. Qe ndër djepa rrisin
nanat e Hotit djelmëninë ushtore
e idhnim n'armikun nëpër gji i u qisin.
E nalt, ndër maje, bukuri mbretnore,
hapi flatrat e mnershme qi përshndrisin,
me thoj t’harkuem shqypeja arbënore!







All the contents on this site are copyrighted ©.