2009-07-31 14:06:46

Shqipëri: KQZ nesër shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 28 qershorit


(31.7.2009 RV)Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) mblidhet paraditen e së shtunës (ora 11:00) për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
KQZ miratoi katër ditë më parë 59 mandatet e fundit të deputetëve për Qarqet e Tiranës, Shkodrës dhe Fierit, duke e bërë thuajse gati rezultatin zyrtar të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, duke iu referuar një neni të Kodit Zgjedhor, tha se Komisioni është i detyruar ta shtyjë edhe me 5 ditë të tjera deklarimin zyrtar të rezultateve zgjedhore me shifra, mandate dhe tabela.
KQZ përmbylli më 27 korrik procesin e ndarjes së mandateve sipas koalicioneve dhe shpalljen e 140 kandidatëve fitues në 12 qarqet e vendit, ndërkohë që rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit u vendos të shpallej zyrtarisht më 1 Gusht.
Sipas rezultateve të KQZ-së, koalicioni "Aleanca e Ndryshimit", i kryesuar nga PD, është fitues me 70 mandate, koalicioni "Aleanca Socialiste për Integrim", i drejtuar nga LSI ka marrë 4 mandate dhe koalicioni "Bashkimi për Ndryshim", i udhëhequr nga PS, fiton 66 mandate.
Ndërsa ndarja e mandateve sipas partive politike është: Partia Demokratike fiton 68 mandate, Partia Socialiste 65 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim, 4 mandate, Partia për Drejtësi dhe Integrim 1, Partia Republikane 1 dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 1 mandat.
nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.