Ndërmjet Bonaventurës e Tomës: Papa më 6 shtator në Viterbo e Banjorexhio
(02.07.2009 RV)Do të jetë një shtegtim
në gjurmët e Shën Bonaventurës, vizita që Papa do të bëjë më 6 shtatorin e ardhshëm
në Viterbo e në Banjorexhio. Sipas programit, që u njoftua sot nga Salla vatikanase
e Shtypit, Benedikti XVI do të kryesojë Meshën në Vale Faul të Viterbos, në orën 10.
15; më pas do të bëjë një ndalesë të shkurtër para Shenjtërores së Shën Rozës, Pajtore
e Qytetit. Pasdite, vizita private në Shenjtëroren e Zojës së Lisit e, më pas,
transferimi, me helikopter, në Banjorexhio, vendlindje e Shën Bonaventurës, reliken
e të cilit Papa do ta nderojë në katedralen e Shën Nikollit. Në përfundim të vizitës,
Benedikti XVI do të takohet me popullsinë vendase në Sheshin e Shën Agostinit. Kujtojmë
se Atin e Shenjtë e ka tërhequr gjithnjë fuqimisht mendimi i Shën Agostinit dhe shkolla
augustiniane, një nga nxënësit më të shquar të së cilës është pikërisht Shën Bonaventura
i Banjorexhios. E njëkohësisht, Benedikti XVI ka pohuar vazhdimisht se e vlerëson
lart Shën Tomën e Akuinit, domenikan, si dhe shkollën tomiste. Dy shenjtorë, që jetuan
në të njëjtën periudhë, në shekullin e 13-të, në krye të dy vizioneve të ndryshme,
por përplotësuese, të realitetit. Për Bonaventurën - kujton Papa - rruga drejt së
Vërtetës është ndriçim hyjnor, ‘fakt mistik’. Na duhet – shkruan Shenjti – hiri e
jo shkenca; dëshira e jo intelekti, fryma e lutjes, jo etja për të lexuar: dija e
vërtetë mund të arrihet vetëm nga ai, që e do Krishtin deri në atë pikë, sa të ndajë
me të edhe Kryqin. Ndërsa duke folur për Shën Tomën, Papa vëren se në veprën
e tij gjejmë një sintezë mahnitëse të lidhjes së ngushtë ndërmjet arsyes e fesë, që
na çon në përfundimin se arsyeja, e ndriçuar nga feja, gjen forcë për t’u lartuar
në njohjen e Hyjit e të realiteteve shpirtërore: “Dashuria shikon më shumë
se arsyeja. Dashuria shikon, dashuria është syri; përvoja na jep më tepër se reflektimi.
Se ç’ ishte kjo përvojë, Bonaventura e pa në Shën Françeskun: është përvoja e një
ecjeje shumë të përvujtë, shumë realiste, ditë për ditë, është ecja krah për krah
me Krishtin, duke pranuar Kryqin e Tij. Në këtë varfëri e në këtë përvujtëri gjendet
përvoja e takimit me Hyjin, më e larta përvojë, e cila mund të bëhet realitet nëpërmjet
reflektimit: përmes saj prekim realisht vetë zemrën e Zotit”.