2009-07-31 17:10:35

Kisha katolike në Spanjë e shikon terrorizmin si kërcënimin më të rrezikshëm për paqen: dhimbja e Papës për viktimat


(31.07.2009 RV)RealAudioMP3 Sot, në orën 13. 00, në katedralen e Majorkës, u kremtua Mesha e dritës për dy viktimat e atentatit të djeshëm në ishull, që i atribuohet Eta-s, organizatës terroriste baske e cila, me sa duket, deshi të kremtojë kështu 50-vjetorin e themelimit.
Kisha katolike spanjolle e dënoi ashpër atentatin, si rezultat i të cilit – rikujtojmë - dje gjetën vdekjen dy punonjës të policisë. Shpërthimi tronditi ishullin vetëm 24 orë pas atentatit të Burgos, pasojë e të cilit ishte plagosja e 69 personave.
Për Konferencën ipeshkvnore spanjolle, ky i Majorkës ‘është atentat brutal’. E, përballë padrejtësisë së këtyre akteve, ipeshkvijtë ripohojnë nevojën e ngushtme për ta kumtuar përsëri Ungjillin e për të denocuar imoralitetin e terrorizmit, që s’është gjë tjetër, veçse fytyra mizore e kulturës së vdekjes, e cila përbuz dinjitetin e jetës njerëzore e dhunon respektin e shenjtë për jetën e çdo njeriu.
Në Spanjë – pohojnë ipeshkvijtë – terrorizmi i Eta-s vitet e fundit është bërë kërcënimi më i madh për paqen. Prelatët spanjollë, në emër të të gjithë bashkësisë katolike, vlerësojnë publikisht punën e Guardia Civil, së bashku me forcat e sigurisë së Shtetit dhe u shprehin afërsinë e tyre familjarëve të viktimave, posaçërisht atyre të rojeve civile të vrara, për të cilët i luten Zotit t’u japë pushimin e pasosur.
Ipeshkvijtë u kërkojnë të gjithëve të bashkohen shpirtërisht me vuajtjet e viktimave të terrorizmit, duke u shprehur përzemërsinë, solidaritetin e, posaçërisht, duke u lutur për ta.
I ashpër edhe dënimi nga ana e ipeshkvijve të Majorkës: “Përballë këtij akti të ri mizorie – deklaroi imzot Jesus Murgui – dioqeza e Majorkës dënon përsëri me forcë terrorizmin”.
Kisha i fton të gjithë besimtarët e Spanjës t’u kundërvihen këtyre akteve të dhunshme, të cilat jo vetëm lëndojnë rëndë të drejtën për jetë e liri, por njëkohësisht janë edhe shprehje të intolerancës më të palejueshme e të totalitarizmit më barabar. Por të dëgjojmë imzot Juan del Rio Martin, kryeipeshkëv ushtarak spanjoll, që kryesoi sot salikimet e dy viktimave:
"Una vez más el terrorismo de Eta…
Edhe një herë ishte terrorizmi i Eta-s. Çdo lloj dhune është e papërligjshme, sepse është mohim i së drejtës për jetë, për liri, për bashkëjetesë paqësore. Të gjithë ipeshkvijtë u shprehin afërsinë familjeve të viktimave. Për këtë më foli sot paradite kryetari i Konferencës ipeshkvnore spanjolle, kardinali Antonio Maria Ruoko Varela – ndërsa nunci apostolik, imzot Manuel Monteiro de Kastro, më solli ngushëllimet e Benediktit XVI për familjarët e viktimave. Terrorizmi nuk mund të përligjet kurrë, në asnjë mënyrë, në asnjë rast, për asnjë arsye. Në të gjitha rastet është i mbrapshtë. I kundërvihet asaj, që është themelore për dinjitetin e njeriut: së drejtës për të jetuar!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.