(31.07.2009 RV)Kisha indiane është thellësisht e tronditur pas vrasjes së meshtarit
Atë Xhejms Mukalel. Trupi i tij pa jetë e krejt i zhveshur, u gjet dje gjatë rrugës
që çon në Magalore, në shtetin e Karnatakës. Ipeshkvi i dioqezës siro-malabareze të
Beltangadit, imzot Lorens Mukuzhu, e përjashton hamendjen, sipas së cilës atentati
ishte pasojë e një sulmi me qëllim rrëmbimi. Sipas hetimeve të para, – pohon për
agjensinë AziaNjuz imzot Mukuzhu - Atë Xhejms duhej shumë nga besimtarët dhe nga
popullata e zonës. Ishte njeri tejet i mirë e nuk kishte armiq. Madje shquhej si misionar
i zellshëm e bamirës. Nuk mund ta kuptojmë si e pse ndodhi një vrasje e tillë e kush
mund ta ketë mbytur meshtarin – shton prelati. Këshilli i përgjithshëm i indianëve
të krishterë u kërkoi menjëherë autoriteteve të nisin hetimet për këtë krim të ri
kundër meshtarëve katolikë. Dioqeza e Beltangadu, që përgatitet për Kongresin misionar
të 3 gushtit të ardhshëm, është thellësisht e tronditur pas kësaj ngjarjeje. Ky
akt i ri dhune u shtohet atentateve të tjera kundër bashkësisë së krishterë, kryer
gjatë vitit të kaluar nga fondamentalistët hinduistë.