Sot me 30 korrik kalendari kishtar përkujton Shën Pjetër Krizologun (380-450), ipeshkëv
i Ravenës e doktor i Kishës
(30.7.2009 RV) “O njeri, pse ke një mendim kaq të ultë për vetveten, në sa
ke qenë aq i çmueshëm për Zotin? Krijuesi yt, si t’i dhuroi bukuritë e kësaj toke,
gjeti akoma diçka tjetër që ta shtonte për të të dashur: “stampoi në ty shëmbëlltyrën
e vet”. Do të mjaftonin këto fjalë, për të kuptuar shpirtin kundrues të këtij romanjoli,
lindur rreth vitit 380 në Imola, që asokohe thirrej Forum Cornelii, dhe edukuar që
foshnjë në fenë më të thellë kristiane. Në vitin 433 shugurohet ipeshkëv i
Ravenës, personalisht nga Papa, Siksti III. Identitetin e tij të jashtëzakonshëm e
njohim nga dokumentet që janë ruajtur e që konfirmojnë kulturën e tij të çmueshme
në kohëra e në ngjarje të asaj periudhe, e sidomos përzemërsinë e tij njerëzore e
fenë e patundur në Krishtin Shëlbues e Mësues Hyjnor. Ravena në kohën e Pjetrit është
një qytet udhëkryq takimesh, kulturash, por edhe problemesh. Nga Lindja me Pjetrin
këshillohet arkimandriti Eutiki, që ishte në konflikt doktrinor me patrikun e Kostandinopojës
dhe me pjesën më të madhe të klerit rreth dy natyrave në Jezu Krishtin. Ipeshkvi i
Ravenës i përgjigjet duke e udhëzuar t’i referohet e të pranojë vendimet e Papës,
aso kohe ishte Leoni I, “përmes të cilit i lumi Pjetër vazhdon t’i mësoi të gjithë
ata që e kërkojnë të vërtetën e fesë”. Ipeshkvi e dijetari i Kishës, Shën
Pjetër Krizologu gjatë punës së tij baritore, u shqua për veprimtari të gjithanshme:
gjallëroi ungjillëzimin, luftoi kundër herezive, katekizoi në mënyrë sistematike,
ndërtoi Kisha, si atë të Shën Gjonit Ungjilltar, të Shën Apolinarit e të Shën Gjon
Pagëzuesit, predikoi me fjalë bindëse e të zjarrta Ungjillin e Krishtit. Prej këndej
iu dha atributi “Krizologu” që don me thënë “njeriu fjalartë”. Shën Pjetër Krizologu
vdiq më 30 korrik rreth vitit 451, duke lënë një trashëgimi jashtëzakonisht të pasur:
afër 180 Sermone apo Predikime të tij të famshme e një Kishë në lulëzim, në paqe përbrenda
e në bashkim me Romën e me kishat e tjera motra.