2009-07-30 15:35:20

Qëndrimi i Kishës Katolike ndaj martesave gay


(30.07.2009 RV) Shqipëria pra, mund të bëhet vendi i parë në Ballkan, që do të ligjërojë martesat ndërmjet homoseksualëve. Megjithëse nuk i besuan as ministrat e vet, kryeministri aktual Sali Berisha lajmëroi se po hartohet një projektligj, që synon praktikën e miratuar vetëm nga pak vende në Evropë. Arësyeja që paraqiti Berisha ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por një shqyrtim më i hollësishëm të bën të mendosh për një rrugë disi të çuditshme për t’iu afruar më shumë Brukselit. Në përgjithësi, ligje të tilla i nënshtrohen një debati publik, që merr parasysh kulturën e popullit për argumentin, vlereson elementet që ndihmojnë në momente të caktuarahistorike për të ecur përpara ne drejtim e drejtë. Është kjo arësyeja, se pse Shtete si Italia, Greqia, apo vende të tjera ballkanike, akoma nuk i kanë pranuar martesat ndërmjet homoseksualëve, të cileve u garantohet të gjitha të drejtat e nuk janë të diskriminuar.
Qëndrimi i Kishës Katolike për martesat homoseksuale.
Kisha, që mbron gjithnjë e kudo të drejtat e njeriut e familjes, u kërkon shpesh legjislatorëve të nxisin e të mbrojnë ligje për të. Çdo njeri, është para së gjithash bir, e çdo fëmijë vjen nga një çift i formuar nga një grua e një burrë. Dashuria e prindërve, mundësia për t’u udhëhequr prej tyre ndërsa hyjmë në jetë, është një pasuri e pallogaritshme sigurie dhe besimi në hapat që bëjmë. E kjo pasuri garantohet nga familja e bazuar mbi martesën, pikërisht për shkak të impenjimit që bart: besnikërinë e qëndrueshme ndërmjet bashkëshortëve dhe dashurinë në edukimin e fëmijëve.
Edhe për shoqërinë, ekzistenca e familjes është pasuri e pazëvendësueshme, mbrojtur nga vetë Kushtetuta e Shqipërisë. Së pari, për të mirën e fëmijëve: vetëm një familje që lind fëmijë mund të konsiderohet qelizë e vërtetë e shoqërisë, pasi garanton vazhdimësinë e brezave. Prandaj, është në interes të shtetit dhe të shoqërisë, që familja të jetë e qëndrueshme e të zhvillohet në mënyrën më të ekuilibruar të mundshme.
Duke pasur parasysh këto konsiderata, Kisha mendon se ligjërimi i martesave ndërmjet homoseksualëve nuk nidhmon as në planin shoqëror, as edhe në atë edukativ. Pavarësisht nga qëllimi i atyre që propozojnë një gjë të tillë, efekti do të ishte shkatërrues për familjen. Do të zhdukej uniciteti i saj, e vetmja gjë që justifikon të drejtat e bashkëshortëve, të cilat u përkasin vetëm atyre. Mohohet ndryshimi ndërmjet sekseve, që është i pakapërcyeshëm.
Kjo nuk do të thotë të mos njihet e respektohet dinjiteti i çdo personi, por Kisha dëshiron të kujtojë se e drejta nuk ka për qëllim t’i japë formë juridike çdo lloj bashkëjetese, ose madje të krijojë njohje ideologjike. E drejta ka për detyrë t’u japë përgjigje publike kërkesave shoqërore, që shkojnë përtej përmasës private të ekzistencës. Kisha është mëse e ndërgjegjshme për gjendjen konkrete, e cila ka nevojë për një kornizë ligjore, por është e bindur se ky objektiv mund të arrihet në fushën e të drejtave individuale që cenojnë ato familjare.
Së fundi, një thirrje për politikanët e krishterë. E këtë thirrje ia besojmë fjalëve të Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë, sipas së cilës, në rastin e “një projektligji në favor të njohjes ligjore të bashkimeve homoseksuale, parlamentari katolik ka detyrën morale të shprehet qartë publikisht dhe të votojë kundër tij”. Kisha i kupton presionet dhe problemet që mund të hasin politikanët katolikë në këto raste, por edhe për këtë, të krishterët janë të thirrur të impenjohen në politikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.