2009-07-30 16:59:34

Mjetet e informimit të mbarë botës i kushtojnë vëmendje mesazhit të Papës: 'Nëse do paqën, ruaje gjithësinë'.


(30.07.2009 RV)RealAudioMP3 Dje mjetet e informimit të mbarë botës, i kushtuan vëmendje të veçantë fjalëve të Benediktit XVI “Nëse do paqën mbro planetin.” botuar në Mesazhin e Papës për Ditën Botërore të Paqës 2010. Është kjo një temë me rëndësi të madhe për të gjithë njerëzimin, dhe Benedikti XVI flet aty për “përgjegjësi globale” dhe për nevojën që vendet e pasura dhe të varfëra “të veprojnë së bashku me qëllim që të vendosin së bashku për fatin e gjithësisë. Kësaj teme Papa i ka kushtuar edhe katër kapituj të enciklikës së tij të fundit “Caritas in Veritate”.

Paqja është e lidhur ngushtësisht me respektimin e mjedisit dhe të njeriut. Papa i bashkon këto dy tema në mënyrë që asnjëra të mos shmanget siç mund të jetë për shembull konsiderimi i natyrës si një tabu më e rëndësishme sesa vetë njeriu, një lloj paganizmi i ri panteist, apo përkundrazi si ajo tjetra që kërkon “teknicizimin” e natyrës duke e shfrytëzuar sipas dëshirës dhe pa kriter.
“Sot – thuhet në enciklikën e Papës Racinger – shumë dëme dhe pengesa për zhvillimin vijnë pikërisht nga këto koncepte të gabuara. Por paqja është në rrezik mbi të gjitha nga mungesa e drejtësisë. Kjo do të thotë se bota, krejt planeti, pra, është një dhuratë e Zotit për të gjithë njerëzimin dhe kur disa shtete apo shumëkombëshe shtijnë në dorë burime energjitike të parinovueshme, kjo gjë përbën një pengesë serioze për zhvillimin e vendeve të varfëra dhe kjo të çon tek lufta”. Më tej në enciklikën e tij Papa thotë se gjithashtu edhe çështja e ujit mund të shkaktojë konflikte serioze.
Në Mesazhin e Ditës Botërore të Paqës 2010 Papa Racinger, duke folur më hollësisht mbi këto tema që i ka cekur edhe tek enciklika e fundit, fton shoqërinë e sotme ta rishikojë edhe një herë dhe madje më seriozisht mënyrën e jetesës, mënyrë kjo që në shumë anë të botës ka prirje drejt hedonismit dhe konsumizmit duke u treguar indiferente ndaj dëmeve që këto prije shkaktojnë.
“Kisha - thotë më tej Benedikti XVI tek enciklika “Caritas in Veritate” ka përgjegjësi për gjithësinë dhe duhet ta pohojë këtë përgjegjësi haptas. Duke e pohuar atë nuk duhet të mbrojë vetëm tokën, ujin dhe ajrin si dhurata që iu përkasin të gjithëve, por duhet të mbrojë mbi të gjitha njeriun, kundër shkatërrimit që vjen nga vetë njeriu. “Për të mbrojtur natyrën – vë në dukje Papa Racinger – problemi themelor është qëndrimi moral i përgjithshëm i shoqërisë. Nëse nuk respektohet e drejta e jetës dhe e vdekjes së natyrshme, nëse të zënit e njeriut, trajtimi dhe lindja e tij bëhet diçka artificiale, nëse embrionet njerëzore sakrifikohen për kërkimet shkencore, atëherë ndërgjegja e përbashkët e humbet konceptin e ekologjisë njerëzore dhe bashkë me të humbet edhe konceptin e ekologjisë mjedisore” - vazhdon Papa.
“Libri i natyrës është një dhe i pandashëm si përsa i përket mjedisit, ashtu edhe përsa i përket jetës, seksualitetit, martesës, familjes dhe marrëdhënieve shoqërore, me një fjalë zhvillimit të plotë njerëzor. Është një kontradiktë tepër e madhe – vë në dukje Papa Benedikti XVI – të kërkosh respektimin e mjedisit natyror kur “edukatat dhe ligjet” nuk e mbështesin respektimin e qenies njerëzore. Ky është vizioni i krishterë për ekologjinë, prandaj, nënvizon Benedikti XVI në mesazhin e Ditës Botërore të Paqës 2010, nëse do të kultivosh paqën mbro gjithësinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.