(29.07.2009 RV)Mëse 40 vetë mbetën
sot të vrarë në Nigeri, gjatë ndeshjeve me armë ndërmjet forcave të rendit dhe ekstremistëve
islamikë. Që nga dita e dielë, viktimat e kanë kaluar numrin 300. Sipas lajmeve nga
vendi, në ndeshje nuk janë përfshirë të krishterët, për të cilët është kërkuar mbrojtja
e qeverisë. Por cilat janë arësyet e këtij konflikti? Të dëgjojmë Enriko Kazalen nga
revista “Popujt”: Brenda vendit përballen dy kultura të mëdha: ajo islamike,
e natyrës arabe, dhe ajo afrikane. Në veri, shtetet janë me shumicë myslimane, ndërsa
në jug janë të krishterë – animistë. Konfrontimi ndërmjet këtyre dy kulturave shpesh
kalon në dhunë, e kjo varet sidomos nga varfëria e skajshme në të cilën jetojnë popullsitë. Ekstremistët
islamikë kërkojnë zbatimin e sharisë në zonat ku myslimanët janë shumicë. Ç’ndikim
mund të ketë kjo, sidomos në jug? Mund të shkaktojë mënjanimin e popullsive
katolike, anglikane dhe protestante. Gjithashtu, jugu është i pasur me naftë. Nigeria
është një nga prodhuesit më të mëdhenj botërorë të naftës dhe e ndan me Angolën primatin
afrikan. Kjo tërheq shoqëritë shumëkombëshe të naftës, të cilat shfrytëzojnë intensivisht
puset, në kushte që nuk respektojnë as rregullat më elementare për mbrojtjen e ambientit.
Ndotja e tij ka keqësuar jetën e popullsisë. E kjo gjendje shkaktoi rebelimin e udhëhequr
nga organizata Mend, rebelët e Deltës së Nigerit.